Çitaku: Gënjeshtrat e Borrellit e vërtetojnë politizimin e procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka përmendur arrestimin e ish-presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale, gjatë një fjalimi të tij në Forumin për Drejtat e Njeriut me temën “Ndaloni mosndëshkimin – Rruga drejt llogaridhënies dhe drejtësisë”.
Ai tha se EULEX-i e ka arrestuar sa ishte president.
“Ne po krijojmë mekanizma të veçantë për zgjidhjet post-konfliktit dhe këtu dua të përmend Kosovën, Dhomat e Specializuara të Kosovës. Misioni ynë policor në Kosovës (EULEX) ishte i ngarkuar për ta arrestuar derisa ai ishte president dhe e dërguan atë në Amsterdam për t’u përballur me drejtësinë”, ka deklaruar Borrell.
Ndaj kësaj deklaratës së Borrellit ka reaguar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Ajo ka theksuar se gënjeshtrat e Borrellit e vërtetojnë politizimin e procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së.
“Fillimisht, presidenti Thaçi ka dhënë dorëheqje si President i Republikës së Kosovës për t’u përballur me akuzat kundër tij. Ai asnjëherë nuk është arrestuar, por është vetëdorëzuar!”.
“Për më tepër, Dhomat e Specializuara nuk janë mekanizëm i BE-së, por i Kosovës. Deklaratat e Borrellit e dëshmojnë dhe një herë politizimin e skajshëm të procesit gjyqësor, me të cilin po mundohen të krijojnë një balancë artificiale ndërmjet viktimave dhe agresorit”, ka shkruar Çitaku në “Facebook”.