Çitaku i kundërpërgjigjet Musliut: PDK-ja ka me u hapë
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku i është kundërpërgjigjur deputetes së kësaj partie, Ganimete Musliu e cila është shprehur e pakënaqur me organizimin e Konventës Programore të Gruas Demokratike të Kosovës.
Deputetja Musliu ka thënë se mungesa e saj sot në këtë konventë ka të bëjë me mospajtimin që ka pasur me mënyrën e organizimit të konventës, si në kohë, në përmbajtje dhe në përfaqësimin.
E Çitaku ka theksuar se PDK-ja do të hapet, do të reformohet dhe nuk do të tjetërsohet.
“PDK ka me u hapë. Me u reformu, jo me u tjetërsu. Gratë e vajzat e reja që po i bashkohen PDK-së do ta kenë mbështetjen dhe hapsirën që e meritojnë. Nuk ka rrugë tjetër”.
“Në PDK jam që nga themelimi. Në fakt, me Presidentin Thaçi kam punuar para se PDK të krijohet si parti. E kam parë nga afër përpjekjen e tij të vazhdueshme për ta pasuruar, rilindur, e reformuar PDK-në. Poashtu e di që edhe atëbotë, sikurse edhe sot, ka pasur ndonjë rezistencë”, i është përgjigjur Çitaku në “Facebook” deputetes Musliu.
Nënkryetarja e PDK-së ka theksuar se “por rrugëtimi ynë nuk ndalet”.
“E unë, si një grua që ka gëzuar mbështetje e privilegje nga PDK në këto 23 vite, suksesin më nuk e peshoj me pozicionin tim. Suksesin tim e peshoj me mundësitë që do të krijojmë për gratë e vajzat e reja. Nuk kemi me u ndalë. Bashkë. 50|50”, ka shkruar Çitaku.