Çitaku: Jam e tronditur deri në palcë me dhunën që përjetoi vajza nga Drenasi
Ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku, ka reaguar lidhur me rastin e 16-vjeçares nga Drenasi, për të cilën mbrëmë është raportuar se ishte keqpërdorur seksualisht nga një zyrtar policor.
Në profilin e saj në “Facebook”, Çitaku ka shkruar se është e tronditur me dhunën që ka përjetuar vajza nga Drenasi, në duart e atyre që do të duhej të ishin aty për ta ndihmuar atë.
“E tronditur deri në palcë me dhunën që përjetoi vajza nga Drenasi, në duart e atyre që do të duhej të ishin aty për ta ndihmuar atë. Ky rast flet për një problem më të thellë, më strukturor që kemi ne si shoqëri. Lehtësia e padurueshme me të cilën i shtypim, dhunojmë, vrajmë vajzat dhe gratë. Kafshë dhe monstra që këpusin krahë e dhunojnë gra ka kudo. Ajo që bënë dallimin është mënyra se si reagon shoqëria. Si reagojnë institucionet. Le të jetë ky rast kambanë e na zgjoftë nga indiferenca”, ka shkruar Çitaku.
/Epoka e re/