Çitaku: Kosova e ka një mundësi të artë me Bidenin në Shtëpi të Bardhë

26 gusht 2022 | 11:09

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar në lidhje me zhvillimet në vend.

Ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook” ka shkruar se “Gjërat duhet parë ashtu siç janë, e jo ashtu siç ne do të donim të ishin”.

“Disa prej nesh kemi mbetur peng i botëkuptimeve të farkëtuara në vitin 1999. Mirëpo, askush, as në Uashington D.C e as në Bruksel nuk e sheh rajonin me thjerrëzat e dy dekadave më parë. Aleatët tanë, kur e shohin Kosovën, nuk e shohin një popull të viktimizuar të cilin duhet shpëtuar. Kur e shohin Kosovën, ata shohin një shtet të pavarur dhe sovran, në të cilin kanë investuar gjatë. E shohin një prej demokracive më vibrante në rajon, dhe presin nga ne të sillemi përgjegjshëm”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka shtuar se: “Kur e shohin Serbinë nuk e shohin një shtet të cilin duhet luftuar. E shohin një shtet i cili sot është problematik, por potencialisht partner, dhe të cilin duan ta ankorojnë kah perëndimit”.

Ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington ka theksuar se bota ka ndryshuar shumë nga viti 1999 dhe nuk ka asnjë apetit për t’u marrë me menaxhim krizash në rajonin tonë.

“E ne si Kosovë e kemi një mundësi të artë me Biden në Shtëpi të Bardhë, meqë Presidenti Amerikan ka një kujtesë dhe angazhim personal në rajonin tonë. Mirëpo, kjo mundësi duhet shfrytëzuar konstruktivisht, duke ofruar zgjidhje dhe alternativa, e jo duke shkaktuar probleme artificiale”, është shprehur Çitaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Takim të vështirë” e kanë quajtur takimin me presidentin serb,…