Çitaku: Kurti qenka mundu me u marrë prapë me presidentin Thaçi
Kryeministri Albin Kurti ka shkruar sot për marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013 në mes të Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.
Sipas tij, të dy marrëveshjet e 2013-s dhe 2016-s, ku ishte edhe asociacioni shkelnin parimet e Kushtetutës.
Ndaj kësaj deklarate të Kurtit ka reaguar sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku.
Ajo ka thënë se Kurti qenka mundu me u marrë prapë me ish-presidentin Thaçi.
“Kryeministri Kurti iu paska rikthyer sot përsëri marrëveshjeve të vitit 2013 dhe vitit 2015 – ato që numri dy i partisë së tij, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se janë të mira dhe të dëshiruara. Gjithsesi, në interes të tij dhe për pak oksigjen ditor politik, ai qenka mundu me u marrë prapë me presidentin Thaçi, ani pse ai po bën tri vjet e gjysmë i mbyllur në Hagë – në mbrojtje të luftës së shenjtë të popullit tonë për liri. Është e pabesueshme se si një gjë kryeministri Kurti nuk e ka kuptuar ende. Që Hashim Thaçi, edhe kundër vullnetit të tij, do të mbahet mend si kryeministri i Pavarësisë së Kosovës. Ndërkaq, Albin Kurti, i cili sot ka mbushur 1124 ditë si Kryeministër, i dyti më jetëgjatë në vend, do të mbahet mend vetëm si Kryeministri i Autonomisë Politike për serbët e pjesës veriore të Kosovës. Marrëveshja bazike të cilën ai e ka pranuar vitin e kaluar në Bruksel, i ka humbur njohjen e ndërsjellë Kosovës dhe i ka sjellë një sërë pasojash afatgjate dhe të patjetërsueshme vendit – që tkurrin sovranitetin e shtetit tonë”, ka shkruar Çitaku në “Facebook”.
Sipas saj, ndërkaq, për këtë pjesën tjetër të qeverisjes, “s’kemi çfarë të themi”. “Nëse Hashim Thaçi ka ndërtuar autostrada moderne, shkolla, i ka rritur pagat, ka ndërtuar institucionet dhe ka vënë në binar funksionimin e shtetit – trashëgimia e vetme që do t’i mbetet në CV-në e tij si kryeministër Albin Kurtit, mbetet Ura tri metra e Saradranit. Kaq, rreth krahasimit tënd kaq të dëshiruar me Presidentin Thaçi, Kryeministër. E di që po të mungon, meqë po vazhdon ta përmendësh çdo ditë, por duro edhe pak. Dielli do të lind përsëri”, ka shkruar Çitaku.