Çitaku, Kurtit: Kryeministër, je shumë vonë, askush nuk po të merr seriozisht!

22 dhjetor 2023 | 15:06

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paraqitur shtatë pikat e qeverisë së tij për bashkësinë ndërkombëtare në mënyrë që të arrihet normalizim i marrëdhënieve me Serbinë, të cilën Kurti e ka akuzuar për shkelje të zotimeve të dala nga Brukseli e Ohri dhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit.

Pikat e prezantuar nga Kurti i ka vlerësuar si joserioze nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Ajo ka thënë se Kurti është duke u bërë qesharak dhe “palaço”.

Në këtë kontekst, Çitaku ka thënë se kryeministri Kurti e ka drejtuar dialogun në mënyrë amatoreske.

“Kryeministër, je edhe vonë edhe i vonshëm. Askush nuk po të merr seriozisht. Të gjithë, e më së shumti aleatët ndërkombëtarë, i injorojnë fjalimet dhe pikat e tuaja të shumta që propozon tash e sa vjet. Kosova ende vuan nën sanskione bashkë me Rusinë dhe Bjellorusinë”, ka shkruar Çitaku në “Facebook”.

Postimi i plotë i Çitakut:

Kryeministri Kurti i paska postuar edhe nja 7 pika të reja: janë joserioze!

Në fakt, ai vet është joserioz. Një palaço jo-qesharak. Që një kronologji:

1. Për 6-7 vjet, Albin Kurti ka përdorur dhunë kundër çfarëdo marrëveshje të ndihmuar nga aleatët, duke mos kursyer asgjë dhe askënd: Është derdhur edhe gjak nëpër rrugë, janë hedhur bomba, gaz lotsjellës dhe është thirrur në luftë vëllavrasëse.

2. Pas ardhjes në pushtet, tash Albin Kurti thotë që nuk e ka prioritet dialogun, dhe zbulon formula të ndryshme, përfshi “pesë kushte”, “tre principe”, “gjashtë pika” dhe zbulime të tjera të cilat janë harruar ca ditë më pas, ngase askush s’i ka marrë seriozisht – madje as ai.

3. Për dy vjet aleatët perëndimorë dhe qytetarët e presin kryeministrin Kurti të marrë vendim dhe t’i jap drejtim dialogut, i cili ka pasur synim njohjen e ndërsjellë. E vonon procesin dhe krijon drama të përditshme, duke reduktuar dialogun në çështje teknike.

4. Pasi që përlahet me Lajçakun, Borrellin dhe gjysmën tjetër të botës, e si pasojë Kosovës i sjell edhe sanksione ndërkombëtare të cilat ende janë në fuqi, në një aksham pazar, pa kurrfarë koordinimi dhe me një paturpësi të pashoq, e pranon një statut të draftuar nga vetë Lajçaku, të cilin e quante pro-serb, për autonomi pa njohje të ndërsjellë.

5. Tash, pasi që i ka parë rezultatet shkatërruese të politikës së tij të jashtme dhe udhëheqjes amatoreske të dialogut, kryeministri qohet dhe propozon 7 pika dhe kthehet pikërisht aty ku kemi qenë para 3 vitesh, duke thënë se vetë do ta draftojë statutin.

Kryeministër, je edhe vonë edhe i vonshëm. Askush nuk po të merr seriozisht. Të gjithë, e më së shumti aleatët ndërkombëtarë, i injorojnë fjalimet dhe pikat e tuaja të shumta që propozon tash e sa vjet.

Kosova ende vuan nën sanskione bashkë me Rusinë dhe Bjellorusinë.

Fokusohu, merr vendime, e mos u merr me fjalime dhe postime. “Facebook”-u nuk është mjet adekuat për “face-saving”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese…