Çitaku: Ky vit, më i dështuari për Kosovën në politikën e jashtme 

28 dhjetor 2023 | 12:44

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka vlerësuar se Kosova po përmbyllë vitin më të rëndë dhe më të dështuar në politikën e jashtme, që nga shpallja e pavarësisë, pa njohje, pa anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe pa avancim të agjendës eurointegruese dhe nën sanksione nga ana e Bashkimit Evropian.

Çitaku, në një konferencë për medie ka thënë se politika e jashtme e Kosovës është karakterizuar nga kakofonia, mungesa e vizionit dhe shumësia e skandaleve.

“Suksesi i vetëm i kësaj Qeverie është angazhimi i këshilltarëve me paga mijëra euro në muaj, pa asnjë rezultat për Kosovën. Qasja e papërgjegjshme e Qeverisë së Kosovës, kacafytja e hapur dhe publike me aleatët tanë kryesorë, solli reduktimin e ambicieve për Kosovën nga ndërmjetësit e dialogut. Dhe si rrjedhojë përfunduam me një marrëveshje, e cila nuk është as gjithëpërfshirëse, as finale, e as me njohje reciproke në qendër. Përfunduam me një draft-statut të pranuar nga kryeministri Kurti, i cili në esencë është një Kushtetutë për serbët e Kosovës dhe krijon një sistem paralel brenda Republikës sonë”, ka theksuar ajo.

Ajo ka thënë se nuk ka njeri me mendje të shëndoshë, i cili do ta donte këtë lloj pasqyre negative në politikën e jashtme.

“Në një vit kur u konkretizua procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, qoftë me miratimin e statusit kandidat, qoftë me hapjen e negociatave për Bosnje Hercegovinën, Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë, aplikacioni i Kosovës mbeti i patrajtuar dhe Kosova vazhdon të mos ketë qasje në qindra miliona euro të fondeve zhvillimore të dedikuara për Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar Çitaku.

Çitaku rikujtoi se PDK-ja ka ofruar mbështetje në fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës, ku kryetari Memli Krasniqi dhe zyrtarët e tjerë të partisë, në takimet dhe vizitat e shumta jashtë vendit, kanë insistuar që qytetarët e Kosovës të mos e bartin koston e sjelljes së papërgjegjshme dhe avantureske të qeveritarëve.

“Do të doja që në këtë konferencë të flisnim për tema tjera, sepse sukseseve të Kosovës në politikën e jashtme, duhet t’iu gëzohemi të gjithë. Fatkeqësisht, me gjithë përpjekjet për të gjetur qoftë edhe një sukses të Kosovës në politikën e jashtme, ishte e pamundur. Realisht, politika e jashtme e Republikës sonë këtë vit ishte inekzistente. Në vitin tjetër me mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kjo mendësi rrënuese dhe përçarëse e kësaj Qeverie, do të marrë fund”, ka theksuar Çitaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Modelja e njohur shqiptare, Juliana Nura, është shumë aktive dhe…