Çitaku: LV-ja dhe Kurti e luftuan ashpër dhe dhunshëm çdo projekt në energji
Vlora Çitaku e ka quajtur Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), korporatë të Martin Berishajt e Nagip Krasniqit.
Nënsekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka vlerësuar se promovimi i punonjësve të rinj në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) nga partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje, dhe kryeministri Albin Kurti, është ironik, pasi të njëjtit, sipas saj, kanë sabotuar vazhdimisht çdo projekt zhvillimor në fushën e energjetikës.
Çitaku, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, e ka quajtur KEK-un korporatë të ambasadorit Martin Berishaj dhe ish-kryeshefit të kësaj ndërmarrjeje, Nagip Krasniqit.
“Lëvizja VV dhe A.K. paskan organizuar një ceremoni publike, me synimin e promovimit të punësimit të disa punëtorëve të rinj në Korporatën e Martinit dhe Nagipit. Kjo përpjekje për vetëlavdërim nuk është gjë tjetër veçse një farsë e mjerë. Është ironike që pikërisht VV dhe A.K., që kanë sabotuar çdo projekt zhvillimor në fushën e energjetikës, po tentojnë të promovojnë një “arritje” të tillë”, ka shkruar ajo.
Ajo ka thënë se VV-ja dhe Kurti e kanë luftuar ashpër e dhunshëm çdo projekt në energji.
“Duke filluar nga Kosova e Re, e deri tek gazsjellësi i sponsorizuar nga SHBA-të. Projekte që, po të ishin realizuar, sot do të garantonin siguri energjetike dhe çmime më të ulëta të energjisë për të gjitha familjet e Kosovës”.
“Mos realizimi i këtyre projekteve, e ka bërë Kosovën të varur nga pazaret e matrapazëve si Nagipi e Martin. Ajo që dëshiron kjo kastë udhëheqëse është qytetarin e dorëzuar e të nënshtruar, që pranon lëmoshën si sukses”.
Çitaku ka shtuar se Kosova s’dorëzohet pasi që ajo meriton dhe mundet shumë më mirë.
KEK-u ka pranuar të hënën 220 punëtorë të rinj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpërndarë kartelat e punës për disa nga punëtorët e rinj.
Kjo ngjarje ka ndodhur pak ditë para fillimit të fushatës për betejën zgjedhore, që do të nisë më 11 janar, për zgjedhjet e rregullta parlamentare që janë caktuar të mbahen më 9 shkurt 2025.