
Çitaku: LV-ja e ka në dorë zhbllokimin e punës së Kuvendit
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se mënyra si po e trajton Lëvizja Vetëvendosje, Kosovën, institucionet dhe qytetarët është “e papërgjegjshme dhe e papranueshme”.
Ajo ka vlerësuar se Vetëvendosje e ka në dorë zhbllokimin e punës së Kuvendit.
“E papërgjegjshme dhe e papranueshme është mënyra se si Lëvizja Vetëvendosje trajton Kosovën, institucionet dhe qytetarët e saj. Përpjekja e vazhdueshme për të degraduar çdo institucion është konstanta e vetme e kësaj lëvizjeje. Nga gurët dhe gazi, deri te kryeneçësia e pakuptimtë, LV nuk ka zgjedhur kurrë mjete për të sulmuar dhe dëmtuar institucionet e këtij vendi. LVV e ka në dorë të zhbllokojë punën e Kuvendit. Nuk e bën, sepse përdorimi i mjeteve normale në politikë dhe demokraci nuk është në traditën politike të saj. Ndërkohë, aferat në fushën e energjisë nuk kanë të ndalur, çmimet rriten çdo ditë, e ne në Kuvend po merremi me ulëse dhe me emra të përveçëm. Turp”, ka shkruar Çitaku në “Facebook”.
Sot për të shtatën herë, deputetët e zgjedhur janë mblodhur për të konstituar Kuvendin.
Vetëvendosje prapë e ka propozuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por prapë ka dështuar Ajo i ka marrë 57 vota, derisa i duhen së paku 61.