
Çitaku: LV-ja uzurpoi sërish Kuvendin, ky është mjerim politik
Deputetja e PDK-së Vlora Çitaku dështimin për herë të katërt të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës e quan mjerim politik.
Sipas saj, partia fituese e Albin Kurtit e ka obligim procedural që propozimin ta hedhë në votim, e jo të uzurpohet e drejta për të ushtruar votën.
“Foltorja e Kuvendit, salla e Kuvendit u uzurpua sërish nga LVV-ja, e cila e ka për obligim procedural që propozimin ta hedhë në votim, nuk mund të uzurpohet e drejta për të ushtruar votën qoftë pro apo kundër, është shkelje e rëndë e demokracisë parlamentare, është mjerim politik… nuk kemi marrë ftesë”, tha Çitaku.
Glauk Konjufca, në emër të LV-së si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk propozoi sot emrin për kryetarin e ri të legjislativit, duke pasur parasysh qëndrimin kundër të opozitës.
Albulena Haxhiu nuk ka marrë votat e mjaftueshme në dy tentime për zgjedhjen e kreut të ri të legjislativit. Opozita ka këmbëngulur se do ta votojnë kundër, ndërsa AAK-ja ka propozuar si emra të mundshëm për këtë post Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimin, që të dyja këto pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, raporton KosovaPress.
Vazhdimi i pestë i seancës për konstituimin e Kuvendit do të mbahet të mërkurën, më 23 prill, duke filluar nga ora 10:00.