Çitaku: Mesazhet e presidentit Clinton në Tiranë duhet marrë seriozisht
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka theksuar se është momenti i fundit që ta ndalim trenin e marrëzisë.
Ajo ka shkruar në “Facebook” se mesazhet e presidentit Clinton në Tiranë duhet marrë seriozisht. “Këmbana e fundit për ne. E Kosova nuk ka pasur kurrë mbështetës më të madh se Presidenti Clinton”, ka shkruar Çitaku.
Ish-presidenti i ShBA-së, Bill Clinton, kërkoi që t’i jepet zgjidhje situatës në veri të Kosovës, të cilën e cilësoi si “marrëzi”.
Në fjalimin e tij para zyrtarëve të lartë të Shqipërisë dhe qytetarëve të mbledhur në nder të tij në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ai theksoi se duhen mbajtur sa më shpejt zgjedhjet në veri.
“Ka një mosmarrëveshje që po ndodh në Kosovë që do të doja të mos kishte ndodhur kurrë. Nuk është më në dorën time, por të kosovarëve. Mendoj se autoritetet kanë bërë një gabim me zgjedhjen e katër kryetarëve të rinj”, tha Clinton.
“Duhet të përfitojnë nga momenti për ta ndalur këtë marrëzi. Çfarë çështje e madhe politike mund të avancohet duke pasur tension? Ata njerëz në ato komuna kanë nevojë për një qeverisje të denjë dhe qytetarët duhet të votojnë”, shtoi ish-presidenti amerikan.