Çitaku: Nuk takohemi me Kurtin për të folur për borën e parvjetshme, s’ndodhi asgjë në Bruksel
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se ky subjekt politik nuk pranon të bëhet pjesë e një spektakli të panevojshëm sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.
“PDK-ja ka qenë vazhdimisht konsistente në mbështetjen e dialogut me Kosovën e Serbinë. Ne i kemi dhënë hapësirën e nevojshme kryeministrit për të përmbushur obligimin e tij kushtetues e ligjor. Konstruktiviteti ynë nënkupton se në nuk pranojmë të bëhemi pjesë e një spektakli të panevojshëm”, ka thënë Çitaku në “Kanal 10”
Çitaku madje ka ironizuar me kryeministrin Kurti i cili dje është takuar me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj për të diskutuar për bisedimet e fundit me Serbinë në Bruksel.
Ajo ka thënë se PDK-ja nuk është e interesuar të diskutojë për borën që ka rënë parvjet.
“Asgjë s’ka ndodhur në Bruksel. Kemi një degradim të procesit dhe kthim në çështje teknike. Ne insistojmë që të shtyhet përpara marrëveshja finale me Serbinë. Ne jemi të gatshëm të takohemi me kryeministrin për të diskutuar për atë marrëveshje, por jo për borën që ka rënë parvjet. Marrëveshjen për targa e dokumente të udhëtimit e kemi bërë para dhjetë dekadave. Për më tepër që ne u informuam nga Escobar dhe kryeministri nuk kishte asgjë të re për të na thënë. Përmbyllja e dialogut me njohjen reciproke është interes vital e nacional i Kosovës. Ne jemi kundër që të prodhojmë show mediatik të panevojshëm”, ka thënë ajo.