![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/11/vlora-citaku.jpg)
Çitaku: PDK-ja është e gatshme që me Bedri Hamzën të marrë përgjegjësinë e qeverisjes
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot (e mërkurë) mbledhjen e parë të Kryesisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku është vlerësuar fushata zgjedhore, angazhimi i strukturave dhe janë diskutuar hapat e ardhshëm politikë.
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, në një konferencë për medie, ka shprehur mirënjohjen e thellë të partisë për mbi 200 mijë qytetarë që i besuan PDK-së me votën e tyre, duke e bërë këtë rezultatin më të mirë të partisë që nga viti 2014.
“Ky rezultat është dëshmi e rikthimit të besimit të qytetarëve dhe e rritjes sonë të jashtëzakonshme. PDK nuk e sheh këtë sukses si përmbyllje, por si një fillim të ri”, ka thënë Çitaku.
Ajo ka falënderuar kandidatin e PDK-së për kryeministër, Bedri Hamzën dhe kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, për një fushatë pozitive dhe të bazuar në programin e qartë për një Kosovë më të mirë, si dhe të gjithë kandidatët, anëtarët, aktivistët dhe votuesit e PDK-së për angazhimin e tyre.
“PDK është e gatshme, me kandidatin tonë për kryeministër, Bedri Hamzën, të marrë përgjegjësinë e qeverisjes dhe ta çojë Kosovën përpara”, ka thënë ajo.
Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës ka siguruar të gjithë se çdo vendim politik do të merret nga organet e partisë, dhe i cili do të jetë transparent për publikun.
“Çdo vendim politik i PDK-së do të merret nga organet e partisë, duke u bazuar në interesin e qytetarëve dhe vizionin për një qeverisje të përgjegjshme dhe zhvillimore”, ka thënë Çitaku.
Në këtë kontekst, Çitaku i bëri thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të sigurojë numërimin e saktë të çdo vote dhe të ruajë integritetin e procesit zgjedhor, duke garantuar respektimin e vullnetit të qytetarëve.
“PDK do të vazhdojë të jetë zëri i qytetarëve, të mbrojë interesat e tyre dhe të punojë për një të ardhme më të mirë për Kosovën”, ka përfunduar Çitaku.
Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar për një qeverisje të përgjegjshme dhe zhvillimore, duke u bazuar në interesat e qytetarëve dhe vizionin për një Kosovë më të mirë.