Çitaku: Sanksionet Kosovës ia ka sjellë vetë Albin Kurti, PDK-ja do ta padisë për shpifje deputeten e LV-së
Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku në një konferencë për media ka thënë se PDK-ja do të ngris padi për shpifje ndaj deputetes së Vetëvendosjes, Arbreshë Kryeziu-Hyseni.
Ajo është shprehur se Kryeziu-Hyseni ka shpifur se zyrtarët e PDK-së kanë ndikuar që siç u shpreh Çitaku, të mos hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës.
Çitaku është shprehur se masat ndëshkuese, Kosovës ia ka sjellë kryeministri Albin Kurti.
“E kemi ftuar këtë konferencë për të denoncuar propagandën e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila mospunën e vet dhe izolimin ndërkombëtarë që ia ka shkaktuar Kosovës për katër vjet qeverisje, po përpiqet ta shndërrojë në propagandë para zgjedhjeve të shkurtit”.
“Të mërkurën mbrëma, deputetja e VV-së, Arbreshë Kryeziu-Hyseni ka shpifur se zyrtarët e PDK-së, Bernard Nikaj dhe ish-zyrtari i PDK-së, Petrit Selimi kanë ndikuar në mos heqjen e sanksioneve nga ana e Bashkimit Evropian dhe ky është një tentim për të denigruar jo vetëm këta individ, por edhe Partinë Demokratike të Kosovës”.
“Andaj, PDK-ja do të ngris padi për shpifje ndaj deputetes Kryeziu-Hyseni. Kosova fatkeqësisht është nën sanksione, njëjtë si Rusia dhe Bjellorusia, për shkak të qeverisë së Lëvizjes Vetëvendosje. Masat ndëshkuese, Kosovës ia ka sjellur Albin Kurti me kryeneçësinë e tij dhe qeveria e paaftë me mentalitet shkatërrues e Lëvizjes Vetëvendosje”.
“Tani, në gërhamat e fundit të humbjes së tyre, eksponentë të pushtetit, të cilët nuk e kanë bërë asnjë hap për t’i larguar këto masa, duke u përpjekur t’i ikin përgjegjësisë për izolimin ndërkombëtar që ia kanë shkaktuar Kosovës, po e atakojnë PDK-në. Përkundrazi, PDK-ja vazhdimisht ka bërë thirrje për largimin e sanksioneve nga Bashkimi Evropian, në çdo takim që zyrtarët tanë kanë pasur me përfaqësues të BE-së. Këtë apel e ka bërë edhe kryetari Memli Krasniqi në takimet e njëpasnjëshme në Bruksel, dhe në takimin me Komisionerin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhey”.
“Kosovës nuk i duhet një qeveri që përpiqet të mbajë pushtetin përmes dezinformatave, shpifjeve dhe akuzave të pabazuara. Kosova meriton një qeveri që punon me përgjegjësi, vizion dhe përkushtim për të ardhmen e saj. Kosova meriton një qeveri që e kthen atë në kursin e zhvillimit dhe të integrimit”, ka thënë Çitaku.