Çitaku viziton Thaçin: Një gjë le të jetë e qartë për të gjithë, Hashim Thaçi mishëron shpirtin e luftës sonë për liri dhe pavarësi

11 dhjetor 2024 | 16:47

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka vizituar ish-presidentin Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale.

Ajo ka treguar se ndjehet e prekur nga zhvillimet e fundit brenda Gjykatës Speciale.

“Një gjë, le të jetë e qartë për të gjithë: Hashim Thaçi mishëron shpirtin e luftës sonë për liri e pavarësi, guximin e atyre që dhanë gjithçka për këtë tokë dhe besimin e patundur se e vërteta gjithmonë triumfon”, ka shkruar Çitaku në “Facebook”.

Postimi i plotë:

Sot, udhëtova edhe një herë drejt Hagës për të vizituar një burrë që ka mbajtur mbi supe ëndrrat dhe sakrificat e një populli, të një shteti, presidentin Hashim Thaçi.

Unë, posaçërisht këtë herë, isha e prekur thellë nga zhvillimet e fundit me procedurën gjyqësore, ndërsa besimi i palëkundur i Presidentit Thaçi në drejtësinë e luftës çlirimtare të Kosovës shkëlqente më fort se kurrë, edhe brenda këtyre mureve.

Një gjë, le të jetë e qartë për të gjithë: Hashim Thaçi mishëron shpirtin e luftës sonë për liri e pavarësi, guximin e atyre që dhanë gjithçka për këtë tokë dhe besimin e patundur se e vërteta gjithmonë triumfon.

Sot, si gjithmonë, ai qëndron i fortë, duke mbrojtur nderin dhe dinjitetin e popullit tonë.

Rruga e Kosovës drejt lirisë nuk ishte kurrë e lehtë, por ishte gjithmonë e drejtë. Asnjë gjykatë nuk mund ta ndryshojë të vërtetën e një lufte të drejtë për liri.

Ne mbetemi të palëkundur, pranë tyre dhe të përkushtuar për drejtësi.

Për Hashimin. Për Kadrinë. Për çlirimtarët tanë. Për Kosovën.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi…