Çitaku: Zoti Bislimi, për cilat arkiva e ke fjalën? Për arkivat e Beogradit për UÇK-në?
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratës se zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili ka thënë se gjatë takimit në Bruksel pala serbe është pajtuar që të hapën arkivat, duke përfshirë edhe ato të UÇK-së.
Çitaku në reagimin e saj, i ka thënë Bislimit se arkivat e UÇK-së tashmë janë në Hagë.
“Zëvendëskryeministri paska deklaruar në Bruksel se Beogradi është pajtuar t’i hapin arkivat, e aty paska thanë edhe diçka për hapjen e arkivave për UÇK-në. Zoti Bislimi, për cilat arkiva e ke fjalën? Arkivat e Beogradit për UÇK-në? Ato tashmë janë në Hagë. Arkivat e Kosovës për UÇK-në? Apo arkivat e fabrikuara nga të tjerët për UÇK-në? Ju a po mendoni që me pasë UÇK arkiva të tilla ato nuk kishin dalë tashmë?!!! Kjo është një grackë e rrezikshme, me pasoja të frikshme. Me veprimet tuaja të papërgjegjshme tashmë keni pranuar atë për të cilën Serbia ka akuzuar Kosovën dhe UÇK-në për vite të tëra”, ka shkruar Çitaku në llogarinë e vet në “Facebook”.
Bislimi: Serbia u pajtua të hapen të gjitha arkivat, edhe ato të UÇK-së