City ‘blindon’ Guardiolën
Skuadra e Juventusit merr një tjetër goditje të fortë sa iu përket pretendimeve për ta sjellë në Torino Pep Guardiolën si zëvendësues për Massimiliano Allegrin.
Manchester City ka arritur pajtimin me trajnerin katalanas për rinovimin e kontratës së tij edhe për pesë vjet të tjera, e kjo ndodh vetëm pak ditë pasi vetë Guardiola deklaroi qëndrimin te “Citizens”. Lajmi bëhet me dije nga tabloidi britanik “The Sun”, sipas të cilit, klubi kampion i Premierë Ligës është gati ta mbulojë në ar 48-vjeçarin, teksa i ka përgatitur një kontratë prej 115 milionë eurosh, që do të thotë se Guardiola do të përfitojë një pagë prej 22 milionë eurosh në sezon.
Shifër kjo, 5 milionë euro më e lartë sesa paga aktuale e tij. E gjitha kjo ndodh kur për Manchester Cityn ekziston rreziku i përjashtimit nga Liga e Kampionë sezonin e ardhshëm, nga UEFA. Por, duket se drejtuesit e kampionëve të Anglisë nuk janë shumë të shqetësuar për këtë fakt përderisa vendosën ta mbajnë Pep Guardiolën në bankinë.