City dhe Reali kualifikohen në çerekfinale të Ligës së Kampionëve
Manchester City nuk ka gabuar aspak ndaj Copenhagen në ndeshjen e kthimit, me “qytetarët” të cilët kanë triumfuar me rezultatin 3-1, duke prerë kështu biletën për në çerekfinale.
City shënoi tre herë që në pjesën e parë. I pari që zhbllokoi shifrat ishte Akanji pas asistimit të Alvarez në minutën e pestë të ndeshjes. Goli i dytë erdhi më pas pikërisht nga argjentinasi, me Alvarez që realizoi një perlë nga distanca në minutën e 9’.
Copenhagen reagoi duke ngushtuar shifrat në minutën e 29’, ku Elyounoussi ishte autori i golit. Por ende pa përfunduar pjesa e parë, Haaland realizoi edhe të tretin në minutën e 48’. Gjatë pjesës së dytë, City bëri më shumë një kontroll loje, pasi duket sikur u mjaftua me rezultatin e përgjithshëm 6-2.
Sfida mes Real Madrid dhe Leipzig ka qenë tepër intensive, me gjermanët të cilët ishin më shumë kërkues dhe dominues. Sfida mes tyre u mbyll me rezultatin 1-1, duke bërë që spanjollët të kualifikohen për në çerekfinale falë rezultatit të përgjithshëm 2-1.
Të parët që kaluan në avantazh ishin madrilenët, ku në minutën e 65’ të pjesës së dytë gjetën golin me anë të Vinicius Junior. Barazimi nga Leipzig erdhi menjëherë, ku një goditje me kokë nga Orban në minutën e 68’ riktheu baraspeshën.