City e mposhti Arsenalin në derbin e Premier Ligës
21 shkurt 2021
| 19:43
Manchester City nuk ndalet as në Londër. Ekipi i Pep Guardiolës fitoi 0-1 përballë Arsenalit, duke arritur suksesin e 18-të radhazi në të gjithë kompeticionet.
Goli i fitores u realizua nga Rahem Sterling në minutën e dytë. Kros i Mahrez nga krahu i djathtë, fluturim me kokë i sulmuesit anglez dhe topi në rrjetë.
Fitorja e sotme e ka ngjitur Manchester City në kuotën e 59 pikëve, dhjetë më shumë se Leicesteri ndjekës. Arsenali vijon të renditet në mesin e tabelës dhe është larg objektivave.
Në dy ndeshjet e tjera të ditës së sotme në Premier League, u regjistrua i njëjti rezultat. West Ham mposhti 2-1 Tottenham, ndërsa Leicester City fitoi 1-2 në fushën e Aston Villa.