City fiton “Carabao Cup”
Manchester City ka treguar se është një nivel tjetër në krahasim me skuadrat e tjera të Premier League duke mposhtur pa probleme një nga klubet më historike të Anglisë, Arsenalin, me rezultatin 3-0 në “Wembley”. “Carabao Cup” këtë herë do të shkojë në Manchester.
Të besuarit e Guardiolas shkëlqyen edhe njëherë dhe tani kanë hipotekuar trofeun e parë të sezonit falë paraqitjes fantastike që nënshtroi “Topçinjtë”. Megjithëse ishin të besuarit e Wenger që humbën një rast të pastër në fillim të ndeshjes, City ishte dominues dhe pas golit spektakolar të Agueros gjithçka u bë më e lehtë për Qytetarët, raporton “Telesport”.
Por golat e tjerë erdhën pas pushimit, ndërsa Arsenal asnjëherë nuk u mundua të rikthehej në lojë. Kapiteni Kompany shënoi golin e dytë dhe ai që vulosi përfundimisht rezultatin ishte David Silva, tashmë i rikthyer në formacionin e Guardiolas. Një lajm tjetër i mirë për Cityn është rikthimi i Gabriel Jesus, i cili u fut në fushë në fund të takimit.