City kërkon 90 milionë euro për Silvan
E ardhmja e Bernardo Silvas është bërë një temë aktuale tek Manchester City. Klubi anglez, i cili rrezikoi ta humbiste yllin portugez gjatë verës që shkoi, e ka planifikuar një takim me lojtarin dhe me menaxherin e tij për të diskutuar rreth situatës aktuale me të.
Edhe pse trajneri Pep Guardiola e konsideron Silvan si mjaft të rëndësishëm, ish-futbollisti i Monacos duket se e ka kërkuar largimin.
Për këtë siguron mediumi anglez “Daily Mail”. Më saktësisht, përfaqësuesi portugez synon të transferohet në Spanjë tek Barcelona.
“Citizens” nga ana e tyre janë të gatshëm ta shesin lojtarin e krahut të djathtë, i cili mund të luajë edhe në qendër të mesfushës, por për të i kërkojnë 90 milionë euro. Nga ana e tyre, “Blaugrana” nuk e kanë prezantuar ende ofertën për Silvan, i cili ka kontratë me Cityn deri në vitin 2025.