City lideri i ri i Premier Ligës
Manchester City ka mundur 4-0 Fulham-in në javën e 37-të të Premier League dhe ka marrë përkohësisht kreun e renditjes.
Ndeshja e luajtur në “Craven Cottage” nuk ka pasur histori, siç kuptohet edhe nga rezultati.
E vetmja surprizë ka qenë protagonisti i takimit.
Nuk ka qenë i zakonshmi Haaland që ka shënuar për skuadrën e Pep Guardiola-s, por qendërmbrojtësi Gvardiol, i cili ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 13-të dhe ka realizuar golin e tretë në të 71-ën.
Në mes, goli i Foden në të 59-ën.
Në fundin e ndeshjes, në minutën e 96-të, Fulham ka mbetur me 10 lojtarë pas kartonit të dytë të verdhë të marrë nga Diop për shkaktimin e një penalltie.
Te pika e bardhë është paraqitur Alvarez, i cili nuk ka gabuar.
Nuk ka patur asgjë për të bërë për Brojën me shokë, me sulmuesin shqiptar që është aktivizuar në minutën e 67-të, por nuk ka arritur të lërë shenjë.
Arsenal do të ketë mundësinë të kundërpërgjigjet nesër në ndeshjen kundër Manchester United, por Citizens kanë një ndeshje për të rikuperuar kundër Tottenham.