City luan tenis me Southamptonin
Manchester City duket i pandalshëm. Fitorja 6-1 e marrë sot kundër Southampton ka kthyer skuadrën e Pep Guardiola në kreun e renditjes së Premier League, të humbur përkohësisht pas barazimit të djeshëm të Liverpool kundër Arsenal. Kampionët në fuqi kanë dhuruar spektakël nga minuta e parë deri tek e fundit.
Ndeshja është zhbllokuar nga një autogol i Hoedt në minutën e 6-të, teksa Aguero ka dyfishuar avantazhin në të 12-ën. “Kun” është bërë lojtari i tretë në historinë e Premier League që shënon 150 gola me një klub të vetëm pas Henry (175 me Arsenal) dhe Wayne Rooney (183 me United).
Aguero i ka shënuar këto 150 gola në 217 ndeshje me “Qytetarët” dhe vetëm Alan Shearer ka arritur të shënojë 150 në më pak ndeshje (212) në historinë e Premier League.
Goli i tretë i vendasve është shënuar në minutën e 18-të nga David Silva, por miqtë kanë ngushtuar diferencat në minutën e 30-të me Ings, që ka transformuar në gol penalltinë e shkaktuar nga portieri Ederson. Në fundin e 45 minutave të para ka ardhur edhe goli i katërt i kampionëve në fuqi, që kanë shënuar me Sterling, i cili ka marrë një asist nga Aguero.
Kjo dyshe ka goditur përsëri në minutën e 67-të, me anglezin që ka realizuar golin e pestë për vendasit pas asistit të radhës të marrë nga “Kun”. Në minutën e 91-të ka ardhur edhe goli i gjashtë i “Qytetarëve”, i realizuar nga Sane.
Kështu, “Etihad Stadium” mbetet i mallkuar për Southampton, që ka marrë 8 humbje dhe 1 barazimi në 9 ndeshjet e fundit të luajtura atje në të gjitha kompeticionet. Bardhekuqtë nuk fitojnë prej shtatë ndeshjesh në kampionat dhe mbajnë vendin e 16-të në renditje me 7pikë.