City në finale të Ligës së Kampionëve
Manchester City është finalisti i parë në këtë edicion në Champions League. Skuadra e Pep Guardiolës fitoi pastër 2-0 sfidën e kthimit, duke u kualifikuar me rezultat të përgjithshëm 4-1.
Goli i parë do të vinte që në minutën e 11-të. Pas një aksioni të gjatë, De Bruyne godet në hyrje të zonës, por ndalet nga mbrojtja vendase, më pas topi shkon te Mahrez, që e ka të thjeshtë për ta dërguar në kuadrat.
Në fillimin e fraksionit të dytë Foden humbi një shans të artë përballë Keylor Navas, por në minutën e 63-të do të shërbente asistin në golin e Mahrez, i cili shënoi golin e dytë personal dhe të tretin në dy ndeshjet.
Në minutën e 69-të, PSG mbeti me një lojtar më pak për shkak të një ndërhyrje anti-sportive të Di Marias, duke shuar shpresat për ekipin parisien. Deri në fund rezultati nuk do të ndryshonte, teksa City shkon e qetë për në finalen e Stambollit.