Civid-19, mbi 1 milion njerëz mund ta kenë lënë duhanin në Britani

15 korrik 2020 | 11:59

Më shumë se një milion njerëz mund të kenë hequr dorë nga pirja e duhanit prejse ka shpërthyer pandemia e koronavirusit në Mbretërinë e Bashkuar, ka thënë një studim i organizatës Aksion për Duhanpirjen dhe Shëndetin, me seli në Londër.

Nga ata që kanë lënë duhanin në katër muajt e mëparshëm, 41 për qind kanë thënë se ky vendim ishte përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj koronavirusit.

Aksioni për Duhanpirjen dhe Shëndetin ka thënë se sondazhi është kryer në periudhën 15 prill – 20 qershor, me një mostër përfaqësuese prej 10 000 personash.

“Mbi një milion duhanpirës mund të kenë arritur ta ndalojnë duhanin qëkur COVID-19 [sëmundja që shkakton koronavirusi] ka goditur Britaninë, por miliona të tjerë kanë vazhduar duhanpirjen”, ka thënë drejtorja e organizatës, Deborah Arnott.

Rreth 7 milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar kanë qenë duhanpirës në vitin 2019.

Në një tjetër studim, Kolegji Universitar i Londrës ka konstatuar se më shumë njerëz e kanë lënë duhanin këtë vit, deri në qershor, sesa në çdo vit tjetër, prejse ka filluar sondazhet e tilla në vitin 2007.

Sipas këshillave të Qeverisë britanike, duhanpirësit mund të jenë të rrezikuar nga simptoma më të rëndë të sëmundjes Covid-19, që e shkakton koronavirusi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sabriu ka treguar vlerësimin që ka për Shyhreten. Dy emrat…