ÇKA DHE PSE NUK SHKOI MIRË TE SHQIPTARËT ANDEJ DHE KËNDEJ DRINIT
Shkruan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Shekulli i shqiptarëve apo… jemi popull euforik që funksionojmë sipas ligjeve të fizikës, përkatësisht sipas “Ligjit të llamarinës”. Nxehemi shpejt, ndërsa ftohemi edhe më shpejt! Kemi kapacitet përshtatjeje në çdo rrethanë, në çdo temperaturë, në kushte normale, por edhe në kushte ekstreme, prandaj kjo mund edhe të jetë arsyeja pse kemi mbijetuar (jo jetuar) në këta 2 000 vjetët e fundit, pa u asimiluar dhe duke e ruajtur kodin gjenetik e të parëve tanë e që nuk ndodhi kështu me disa popuj të tjerë të cilët u asimiluan 100 për qind, siç janë fqinjtë tanë bullgarët që nuk ishin sllavë, por se u sllavizuan krejtësisht. Gjatë kohës së gjatë të luftës për mbijetesë, pjesën më të madhe e kaluam të robëruar, prandaj edhe nuk patëm mundësi të kemi një zhvillim normal sepse kryesisht i shërbyem pushtuesit dhe shumë pak popullit shqiptar. Periudhat e robërisë ishin shumë të gjata, llogariteshin me qindra vite nën Perandorinë Romake, Bizantin, nën Perandorinë Otomane, bullgare, greke, italiane, jugosllave, sovjetike, kineze dhe, së fundi, nën vartësi kolonialiste të gjithë atyre që, kinse, na përkrahin, por se e bëjnë të kundërtën. Në këto rrethana ishte problem të kishim një arsim cilësor e që është bazë e zhvillimit të përgjithshëm, më shumë prodhonim analfabetë funksionalë dhe jofunksionalë se intelektualë! Në kohën kur shumë shtete dhe vende shënonin të arritura të mëdha në fushën e arsimit, shqiptarët në Kongresin e Manastirit në vitin 1908 e sajuan një alfabet, ku gjysma e shkronjave ishin të huaja. Mos harroni se po në atë kohë vendet dhe shtetet me të cilat kufizoheshin trojet shqiptare (nuk kishte shtet shqiptar), shënonin dhe festonin dhjetra dhe qindra vite të universitetit! Për aq kohë sa ata nxirrnin ekspertë të të gjitha fushave, ne nuk kishim as edhe një alfabet apo një abetare që të na mësojë shkrim-lexim! Ata pak intelektualë shqiptarë, të konvertuar kombëtarisht dhe fetarisht, kontributin më të madh e dhanë për perandoritë dhe kolonizatorët, duke kontribuar edhe në formimin dhe mëkëmbjen e shteteve të tjera, në ndërkohë kur ne nuk kishim shtet as edhe në gjurmë. Gjatë “mbretërimit” të një “mbreti” krejtësisht analfabet dhe pa as edhe një ditë tradite mbretërore, shumica e intelektualëve dhe patriotëve shqiptarë u përndoqën dhe u vranë. Çka mund të pritej tjetër prej një Zogu, i parë apo i fundit i cili erdhi dhe mbeti në pushtet me ndihmën e Serbisë, xhandarmëria e të cilit paguhej nga buxheti i mbretërisë serbo-kroato-sllovene, që i fali tokat më të bukura shqiptare dhe që duke e vjedhur pasurinë e popullit të varfëruar shqiptar, me ta dëgjuar krismën e parë të revoles së Musolinit, ia mbathi jashtë vendit duke i shpenzuar pamëshirshëm në Greqi, Egjipt, Afrikë të Jugut, Mbretëri të Bashkuar, Spanjë e gjetiu. Pastaj, goditjen më të madhe që i dhanë Shqipërisë dhe shqiptarëve ishin komunistët e udhëhequr nga Enver Hoxha që e zhveshën shqiptarin nga çdo vlerë njerëzore, kombëtare, politike, shpirtërore, kulturore etj., për ta shndërruar njeriun në një qenie mekanike, të kurdisur të jetojë nën kushte të dhunimit të dinjitetit të skajshëm dhe duke mos zgjedhur mjete, vetëm për të mbijetuar! Në kohën e regjimit komunist në Shqipëri, intelektualët e vërtetë, ose u vranë ose kaluan vite e vite nëpër burgje dhe internime, kurse pjesa e intelektualëve butakë u shkrinë në makinerinë vrastare të regjimit komunist duke i gëzuar të gjitha të mirat, edhe në kohën e Enver Hoxhës sikur edhe në kohën e të konvertuarit, por asnjëherë demokratit të vërtetë, diktatorit të tretë të Shqipërisë, doktorit nga Tropoja, Sali Berishës. Realisht përgjegjësinë kryesore për gjendjen e mjerë të shqiptarëve, pasojat e së cilës i ndiejmë edhe sot, andej dhe këndej Drinit e kanë tre persona që e kanë sunduar thuaja 85 për qind të kohës që nga shpallja e Pavarësisë, më 28 nëntor 1912; Ahmet Zogu, Enver Hoxha dhe Sali Berisha. Përveçse nuk e përmbushën detyrimin kushtetues dhe moral, bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, ata copëtuan tokën ekzistuese, përndoqën dhe vranë të gjithë intelektualët dhe patriotët shqiptarë që nuk ishin në shërbim të tyre, u shndërruan në vazalë të të tjerëve dhe u bënë dhunues të shqiptarëve, pa dallim se ku jetonin.
Kjo ishte e kaluara, po si është gjendja sot: Edhe sot shqiptarët vuajnë nga një ves që tashmë e kanë bërë traditë dhe mënyrë e të jetuarit, përçarjes dhe përdorimit të fjalës së fundit, të parën apo si kryefjalë, bëhet fjalë për lehtësinë e pabesueshme të të shpallurit tradhtar! Madje këtë më së lehti e bëjnë djarrakohësit apo ata që në një apo mënyrë tjetër ndërlidhen me tradhtinë, të trashëguar apo të fituar si mundësi dhe nevojë për ta mbuluar të kaluarën apo për ta arsyetuar të tashmen. Kjo dukuri përçohet që nga nivelet e larta të pushtetit, për të keqpërdorur pastaj si ushqim shpirtëror për nivelet më të ulëta.
Shqipëria: Është atdhe, mëmëdhe dhe shtet i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht se ku jetojnë. Shqiptarët nuk kanë atdhe dhe shtet tjetër, përjashtuar këtu kosovarët e shpifur që duan ta ndajnë padrejtësisht popullin shqiptar. Shqipëria në rrethana normale duhet të jetë Piemont (bashkues apo strumbullar) i të gjithë shqiptarëve e që nuk e luajti këtë rol asnjëherë në historinë e saj ndonëse Kushtetuta e Shqipërisë e përligj dhe e bën të detyrueshëm paternalizmin ndaj çdo shqiptari e që në historinë e saj kurrë nuk e luajti atë rol. As “mbreti” Zog, as Enver Hoxha e as Sali Berisha. Madje, në shumë raste, këta tre diktatorë përçanë deri në armiqësi organizmin e dobësuar dhe të molisur shqiptar duke arrestuar, dënuar, internuar dhe vrarë shqiptarë. Nga Lufta e Dytë Botërore, Shqipëria doli e shkatërruar në çdo mënyrë ku afërsisht 80 për qind ishin analfabetë, pa infrastrukturë, pa arsim, pa shërbime shëndetësore, e mbyllur hermetikisht dhe 100 për qind e varur nga sovjetikët, jugosllavët dhe kinezët. Mirëpo, nëse bëni një krahasim midis Shqipërisë së viteve 1945, 1990 dhe 2019, edhe me vendet e rajonit atëherë lehtësisht vërtetohet se Shqipëria është zhvilluar më së shumti në aspektin e ndërtimit të infrastrukturës, ndërtimeve, përmirësimit të kualitetit të jetës (migrimi ka luajtur rol vendimtar si dhe paratë e pista apo nga krimi i organizuar). Kështu kishte ndodhur edhe në Itali sikur edhe në ShBA, më heret. Në aspektin e ruajtjes dhe forcimit të identitetit kombëtar, nuk ka ndonjë përparim, kurse në raport me shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë, është vërejtur, sidomos nga një pjesë e klasës intelektuale, një qëndrim racist dhe nënçmues. Nëse shtetet e rajonit, çdo anëtari të popullit që i takon, pavarësisht ku jeton, në mënyrë automatike ua ka njohur shtetësinë duke i lëshuar pasaportën, Shqipëria nuk e ka bërë këtë ndonëse kishte premtuar Sali Berisha. Politika shqiptare më shumë ka qenë e përqëndruar drejt shteteve fqinje nëse edhe ato kanë qenë armiqësisht të disponuara ndaj Kosovës, se ndaj shqiptarëve të Kosovës. Çdo udhëheqës i Shqipërisë i ka pasur “shqiptarët e vet”, në vendet jashtë Shqipërisë me të cilët ka manipuluar, varësisht sa u janë dashur. Dihet se kush nga liderët shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Luginës kanë qenë të afërt me Sali Berishën, Fatos Nanon e tash Edi Ramën e kush ishin dhe janë kundër tyre. Nga kjo situatë përfituan kryesisht disa kosovarë që tradicionalisht ishin në shërbim të Jugosllavisë dhe Serbisë e që e fituan shtetësinë shqiptare, duke vazhduar ende t’i shërbejnë Serbisë! Është i qartë roli i Sali Berishës, para, gjatë dhe pas përfundimit të luftës sikur edhe i Fatos Nanos. Së fundi, pasi u fuqizua në skenën politike shqiptare Edi Rama e që fillimin e kishte të mirë, u ngjallë një shpresë se më në fund e kemi një zë të përbashkët që e përçon në botë vullnetin politik të shqiptarëve sikur që denjësisht mbron interesin kombëtar dhe shtetëror. Edi Rama që nga fillimi u përballë me një opozitë destruktrive, të kompromituar dhe palcërisht të korruptuar e që udhëhiqej nga Lul Basha që shërbente si ogiç i kopesë politike të Sali Berishës. Kjo, mbase, ndikoi që Edi Rama, nga një situatë e të vepruarit normal në politikë, u transformua në një personalitet arrogant që, sidomos në raport me mediet, shakthtësinë oratorike e keqpërdori deri në nënçmim. Pas përafrimit të qëndrimeve me Hashim Thaçin dhe Aleksandar Vuçiqin, në Kosovë i ranë ndjeshëm aksionet politike të cilat, në vend se të bëjë përpjekje t’i rikthejë, arriti që ta humbë përkrahjen krejtësisht sidomos për këtë Minishengenin në kohën që paturpësisht po na mohohet shengeni normal, për të cilën atësinë po e marrin Vuçiqi dhe Rama, ndonëse më kujtohet mirë se shumë vite më parë për këtë kishin folur Fatmir Sejdiu, ish-president dhe Zarife Jahjaga, asnjëherë presidente reale. Është interesant që aktualisht Edi Rama po sulmohet ashpër nga dy kategori opinionesh dhe “personalitetesh” në Kosovë nga ata që i kanë shërbyer Serbisë dhe ende janë pjesë e këtyre projekteve e që maksimalisht e kanë materializuar këtë dhe nga idealistë kombëtarë që nuk kanë përfituar asgjë, por se këtë e bëjnë nga qëllimet më të mira. Të dyja këto opinione e shpallin Edi Ramën tradhtar të kombit shqiptar, Esat Pashë Toptan etj. e që unë nuk pajtohem me këto cilësime. Sepse, edhe po të dojë e unë mendoj se nuk do ta bëjë kurrë këtë, një person pavarësisht fuqisë që e ka nuk mund të marrë vendime për një popull dhe për një shtet. Edi Rama duhet ta pastrojë fjalorin dhe duhet ta kuptojë se nuk është i mandatuar nga askush të jap cilësime si gënjeshtar, plehra, budalla, këndues maje plehu etj. Derisa të merret me këto cilësime vetëm sa do ta ushqejë palën tjetër të përgjigjet me të njëjtën monedhë. Nëse Edi Rama nuk qenka udhëheqës ideal për Shqipërinë dhe shqiptarët, merreni me mend atëherë alternativën që po ofrohet përmes protestave të dhunshme – Lul Bashën, si dash i gjyshit digjital, Sali Berishës! Edi Rama duhet t’i vejë kapak gojës sikur edhe liderët kosovarë që nuk sillen aspak më qytetërues se Edi Rama! Edi Rama duhet ta kuptojë se Shqipëria pa Kosovën kurrë nuk do të bëhet shtet për së mbari dhe se, gjithashtu, pa Kosovën nuk ka fare ardhmëri. Nëse Shqipëria llogaritet se është truri i Shqipërisë dhe shqiptarisë, Kosova pa asnjë dyshim ka qenë, është dhe do të mbetet zemra e Shqipërisë dhe shqiptarisë. Lexojeni historinë dhe do të bindeni për këtë! Përkundër të gjithave, Shqipëria asnjëherë më parë nuk ka qenë më mirë se që është tani!
Kosova: Ishte dhe mbeti eksperiment i ndërkombëtarëve, kurse tani është shndërruar në monetë për barazim midis shteteve sikur edhe për ndërtim të paqes! Bashkësia ndërkombëtare asnjëherë nuk e kishte seriozisht që Kosova të bëhet shtet i pavarur dhe sovran! Po ta kishte këtë qëllim qysh në vitin 1999 (ka qenë më së lehti) do të shpallej pavarësia. Po ta kishte seriozisht nuk do ta shndërronte Kosovën shtet me integritet territorial të ndarë sikur edhe do t’i njihte sovranitetin e saj në tërë territorin e Kosovës. Këtë nuk e ka bërë, nuk e bën as sot sikur që nuk do ta bëjë as në të ardhmen derisa Kosova ta paguajë një çmim të caktuar, qoftë përmes Asociacionit me kompetenca ekzekutive të Serbisë në Kosovë, dhënies të një pjese të territorit apo të ndonjë forme tjetër. Po të kishte seriozisht, Kosova dhe qytetarët e saj nuk do të mbeteshin si zorrë qorre e Evropës, të izoluar dhe pa mundësi të lëvizin lirisht. Po ta kishin seriozisht ndërkombëtarët nuk do të lejonin kriminalizimin e klasës politike me të cilën kanë vjedhur bashkë! Po ta kishin seriozisht do të ndiqnin dhe gjykonin të gjithë për krime lufte e jo ta formojnë një Gjykatë raciste të Specializuar, vetëm për shqiptarët! Kosova e ka një problem që e përcjellin çdo vend të tranzicion; antivlerat e fitojnë fuqinë e vlerave, kurse vlerat e vërteta margjinalizohen. Kosova e bëri në luftë të jashtëzakonshme e që nuk e bëri asnjë vend tjetër, por e dëshmoi qartazi se ata që u sakrifikuan dhe e bënë luftën nuk patën kapacitet të mjaftueshëm ta udhëheqin vendin! Këta që e bënë luftën ishin pakicë, masa kritike që lëvizi dhe ndryshoi proceset, por se një pjesë e tyre e personalizoi pushtetin duke e abuzuar mundësinë e dhënë dhe të fituar. Nuk ka vend në botë ku një përçarës i luftës, sabotues i luftës, mohues i luftës dhe i cili nuk bëri asnjë sakrificë personale, përveçse e lartësoi hedonizmin, me para të popullit, të ngritet në piadestalin e të më merituarit duke u shpallur “arkitekt i pavarësisë”, ndërkaq që të margjinalizohet deri në izolim dhe përbuzje kuptimi dhe përmbajtja e çdo përpjekje për çlirim, liri dhe bashkim kombëtar siç ishte sakrifikuesi i papërsëritshëm, Baca Adem Demaçi. Disa hajdutë dhe keqbërës nga krahu i luftës e krijuan dhe e pranuan këtë gjendje. Nuk e besoj se Kosova ka ndonjë perspektivë të sigurojë qëndrueshmëri si shtet përveçse kjo do të çojë deri në përfundim të një procesi më normal të mundshëm, bashkimi me Shqipërinë, i cili do të jetë i pashmangshëm. Mund të ketë vonim, por se nuk ka shpëtim! Është brengosës vullneti i disa politikanëve që kanë pranuar të bisedojnë me Serbinë për ndryshim të territoreve duke e dëmtuar panevojshëm territorin e një shteti të përbashkët në të ardhmen, Shqipërisë për të gjithë shqiptarët. Se sa është e përkushtuar Kosova dhe qytetarët e saj për Shqipërinë, më së miri tregoi tërmeti i fundit ku, përkundër përplasjeve midis politikanëve, populli u organizua 100 për qind. Mos e dhashtë Zoti sepse, nëse nesër Shqipëria do të rrezikohej nga kushdo qoftë, për një javë do të mobilizoheshin 100 000 ushtarë nga Kosova, në mbrojtje të Shqipërisë, pa asnjë dyshim! Edhe Kosova, me këtë gjysmë pavarësie dhe me një sovranitet të dhunuar, ka shumë përparime. Mungon një arsim cilësor, si burim i ecjes para me kuadro të kualifikuara. Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës e që do të duhej të llogaritej si ajka e kombit, qysh moti i ka dalë yndyra, si një degë e një partie të caktuar politike e që tash po merret me Çmimin Nobel si dhe me Edi Ramën, pas një gjumi thuaja 15-vjeçar, pa bërë asnjë punë për t’u mbajtur mend për së mbari! Kosova e ka popullin e shkëlqyer, por politikën e mjerë, politikanë kryesisht të pakualifikuar, servilë dhe pa kurriz anatomik! Ata që duan ta tregojnë kurrizin, ashtu si ua ka falur Zoti, ose shkojnë në margjina ose në Hagë!
Maqedonia e Veriut, e Jugut, e Lindjes dhe e Perëndimit: Shqiptarët e këtij shteti kanë qenë të ndarë në dy pole dhe u kanë shërbyer në radhë të parë maqedonasve e pastaj dy dinastive; të Menduh Thaçit dhe të Ali Ahmetit që janë në pushtet që nga koha e neolitit! Këta e kanë gjuhë amtare shqipen, por se nuk kuptohen mes vete pasi nuk flasin pa përkthyes, qoftë ai të jetë Nikolla Gruevski apo Zoran Zaev. Tash aq shumë janë margjinalizuar saqë më nuk iu duhen asnjë partie maqedonase, prandaj tërë luftën e bëjnë duke luftuar njëri-tjetrin. Politikisht, pas këtyre zhvillimeve të fundit partitë politike nuk i lusin shqiptarët për koalicion, por se shqiptarët i lusin partitë maqedonase t’i marrin në gjirin e tyre, sa për të mbijetuar dhe thënë se janë pjesë e pushtetit! Tash në skenë janë aktualizuar disa hajdutë të Fondit Vendlindja Thërret, nën petkun e analistit dhe parashikuesit, patriotit dhe moralizuesit, ndonëse nuk kanë lënë hajni pa bërë! Shqiptarët në Maqedoni nuk u mundën nga maqedonasit, por se e mundën veten duke u bërë krejtësisht të pavlerë dhe jondikues! Tash, meqë janë diskredituar në nivelin lokal, po merren me politika botërore!
Mali i Zi: Shqiptarët i gëzojnë të gjitha të drejtat e njeriut, të drejtat politike dhe civile, të drejtat për organizim dhe protesta, të drejtat për arsimim në gjuhën amtare në të gjitha nivelet, pa asnjë kufizim dhe pa asnjë diskriminim, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare. Të gjitha këto të drejta i kanë të garantuara dhe i gëzojnë… në Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Lugina e Preshevës: Shqiptarët e Luginës të gjitha shpresat, por edhe vetë janë të varur nga topet e Hashim Thaçit. Sidomos për bashkim me Kosovën, sikur Muça pas daive! Mbështetje kjo e pasigurt dhe e paqëndrueshme, anatomikisht dhe politikisht!
Gëzuar dhe urime Viti i Ri 2020 për të gjithë lexuesit e “Epokës së re” dhe për të gjithë ata që më lexojnë dhe më kritikojnë (duke mos besuar se ka të tillë)!
Për shqiptarët gjithmonë do të ketë shpresë për aq sa ekziston Shqipëria, ndërkohë që Shqipëria është e përjetshme.
Gëzuar!
Shkruar enkas për gazetën “Epoka e re”