Çka fshihet prapa përdorimit të termit “albanofonë” nga ana e Dick Martyt?
Ish-përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), politikologu Bardhyl Mahmuti, gjatë polemizimit me një lexues, sqaron përmes argumentesh shkencore tendencen si dhe qëllimin politik të përdorimit të termit “albanofonë” nga ana e ish-raportuesit tëKëshillit të Evropës, Dick Marty, në raport me shqiptarët e Kosovës, me ç’rast Mahmuti i vë në pah tendencat politike të Martyt për të kontestuar të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të qenë popull dhe për të pasë shtetin e tyre.
Ky është postimi i plotë i Bardhyl Mahmutit në llogarinë e vet në “Facebook”:
Lajmi për zhvillimet rreth promovimit të librit të Dick Martyt në librarinë “Payot” të Lozanës dhe sidomos pranimi i Dick Martyt t’i ballafaqojmë argumentet pasi të ketë lexuar librin tim gjeti një përkrahje të madhe si asnjë shkrim që kam publikuar më herët. Ju faleminderit shumë miq të dashur dhe të gjitha mediave në gjuhën shqipe që i dhanë një publicitet të madh.
Fillimisht desha të kufizohem vetëm në këtë falënderim, por komenti i Seff Krasniqit më detyron t’i përgjigjem publikisht, sepse është lëshuar në një fushë të spekulimeve me shpresë se njerëzit nuk i dallojnë tendencat në përdorimin e terminologjisë.
Në komentin e tij ai shkruan: “Dick Martyn nuk guxon ta padis as Hashim Thaçi as Bardhyl Mahmuti, sepse të dytë e dinë perfundimin. Bardhyli e paska realizuar nje foto me të dhe kjo i mjafton ta këtë për histori. Në fakt, Bardhyli po ka deshirë të çoj pluhër për naivet dhe për të painformuarit mirë, sepse edhe ky e di shume mirë qe nga kendi i Marty-t dhe praktikes zvicerane, termi albanofon eshte ne rregull, sepse e gjithe CH banohet nga gjermanofonet, frankofonet dhe italofonet. Le te behet Bardhyli i sinqertë e të na tregojë se si i quan ky vetë zviceranët qe flasin frengjisht, pra i quan frankofon. Albanofon, nuk e ka kuptimin denigrues sikur ne kontekstin tonë kur i themi dikujt shqipfoles. Nuk di a ka pasur edhe shqiptarë tjere ne ate promovim, sepse gjuha eshte prej tuli, siç thuhet.
Megjithate, nese do të kete nje perballje ne mes te Marty-t dhe Bardhylit, per cka s’besoj aspak, do të mundohem të jem i pranishëm. Nese Bardhyli do ta çoj të verteten deri ne fund, mund t’ia bej gjyqin ketij parlamentari të CH”-përfundon komentin Seff Krasniqi.
T’i marrim gjërat një nga një:
1. Seff Krasniqi më akuzon se përmes ndërhyrjes sime lidhur me përdorimin tendencioz nga ana e Dick Marty të termeve “albanofonët dhe “serbët” sa herë që flet për përkatësitë etnike në Kosovë, unë paskam “dëshirë të çoj pluhër për naivet dhe për të painformuarit mirë, sepse edhe unë e di shume mirë qe nga kendi i Marty-t dhe praktikes zvicerane, termi albanofon eshte ne rregull, sepse e gjithe CH banohet nga gjermanofonet, frankofonet dhe italofonet”!
Madje nga unë kërkon “që të bëhem i sinqertë e t’u tregojë se si i quaj unë zviceranët qe flasin frëngjisht” dhe vet e jep përgjigjen: “pra i quan frankofon”.
Në përfundim për këtë çështje Seff Krasniqi nxjerr konkluzionin se gjoja në përdorimin e kësaj terminologjie nga ana e Dick Martyt termi “albanofon nuk e ka kuptimin denigrues sikur në kontekstin tonë kur i themi dikujt shqipfolës”!!!
2. Sikur të mos e njihja Seff Krasniqin do të mendoja se është reagim i “ndonjë naivi të painformuar” që nuk është i vetëdijshëm për mjerimin e mendimit të shprehur. Por meqë e njoh mirë dhe jam shumë mirë i informuar për të, atëherë përgjigjen do ta ketë ashtu siç e meriton.
3. Në ndërhyrjen time gjatë promovimit të librit të Dick Martyt theksova se në të gjitha intervistat e veta, në “raportin për trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë” dhe në librin e fundit të tij sa herë që flet për përkatësitë etnike në Kosovë, Dick Marty përdor termet “albanofonët” dhe “serbët” dhe shtrova pyetjen nëse është neutral një qëndrim i tillë.
Nuk është e rastësishme që krahas raportit që mban emrin e tij dhe librit të fundit unë përmenda edhe intervistat e tij. Jo rastësisht vura theksin në faktin se Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur si i tillë nga shumica e shteteve në botë.
Nëse Seff Krasniqi shtiret se nuk e ka marrë vesh, Dick Marty e ka kuptuar saktësisht pse i kam përdorë këto fakte, sepse pas ndërhyrjes sime ai pati një qëndrim që synonte shfajësimin.
Për njerëzit që nuk kanë pasur mundësi t’i lexojnë qëndrimet e shumta të Dick Martyt rreth Kosovës, serbëve dhe “albanofonëve” jam i shtrënguar të sjell vetëm disa fakte, sepse kjo është e vetmja mënyrë që lexuesi të kuptojë drejtë se kush “dëshiron çojë pluhër për naivet dhe për të painformuarit mirë”.
4. Për politikanin “neutral” të Zvicrës, Dick Martyn, populli shqiptar i Kosovës nuk është popull! Në gjuhën e këtij militanti, ata konsiderohen vetëm si “shqipfolës” sepse, sipas interpretimit të tij, “në të drejtën ndërkombëtare, vetëvendosja e popujve i nënshtrohet një sërë kushtesh. Sidomos, një popull duhet të njihet si i tillë. Kosova nuk përbën një rast të tillë. Kombet e Bashkuara nuk kanë njohur kurrë më parë një vend që është ndarë nga një vend tjetër kundër dëshirës së vendit pjesë e të cilit ishte….” (Réseau Voltaire, Dick Marty: “L’indépendance du Kosovo n’a pas été décidée à Pristina”, entretien avec Silvia Cattori shih: http://www.voltairenet.org/article155903.html)
“Sa i përket Çështjes së Kosovës, e drejta ndërkombëtare është plotësisht e qartë” për Dick Marty! Në të njëjtën frymë sikurse bartësit e institucioneve shtetërore të Serbisë, Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme të Këshillit të Shteteve të Konfederatës Helvetike, Dick Marty, këmbëngul se “Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara flet në tri vende për integritetin territorial serb dhe thotë se Kosova është krahinë serbe që do të administrohej përkohësisht nga ndërkombëtarët. Rusia nuk do ta kishte pranuar asnjëherë këtë rezolutë nëse ajo nuk fliste për integritetin territorial të Serbisë. Kjo rezolutë edhe sot është në fuqi, sepse vetëm Këshilli i Sigurimit mund ta modifikojë apo anulojë.” Për këtë arsye, sipas tij, shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Këtu shihet qartë se Dick Marty ka përvetësuar interpretimin serb të së drejtës ndërkombëtare, dhe shprehu haptazi revoltën e tij pse “bota perëndimore” nuk ka bërë diçka tjetër. “Sidomos Bashkimi Evropian, ka mundur të bëjë një deklaratë drejtuar të gjitha vendeve të regjionit dhe t’u thotë: ju propozojmë të gjithëve një marrëveshje bashkëpunimi me Bashkimin Evropian dhe Kosova do të gëzojë një autonomi të zgjeruar. Presidenti serb, Boris Tadiqi erdhi në Këshillin e Evropës dhe përkundër asaj se ishte e vështirë për të, ai deklaroi përpara përfaqësuesve të 47 shteteve: ‘Ne jemi dakord t’ia njohim Kosovës autonominë më të gjerë të mundshme’. Nuk e kuptoj pse nuk e kemi shfrytëzuar këtë rast’”.
Krahas revoltës së vet, në intervistën e lartpërmendur Dick Marty deklaron se
“shumica e vendeve nuk e kanë njohur dhe nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës”. Kjo deklaratë është shprehje e dëshirës së tij dhe pikërisht për këtë arsye në ndërhyrjen time përmenda se aktualisht Kosovën e kanë njohur si shtet të pavarur shumica e vendeve në botë.
5. Nuk ka asgjë neutrale në qëndrimet e Dick Martyt kur ai përdorë termet “serbët dhe shqipfolësit”, sepse përmes kësaj mënyre ai këmbëngulë se gjoja me të drejtën ndërkombëtare shqiptarët e Kosovës nuk janë popull që kanë të drejtë të krijojnë shtetin e vet, por “shqipfolës” në kuadër të Serbisë! Madje Dick Marty shtiret se nuk e kupton “pse nuk është shfrytëzuar rasti që shqipfolësve t’u jepet një autonomi në kuadër të Serbisë”!
Unë e kuptoj pse Dick Marty shtiret se gjoja nuk i kupton gjërat. E kuptoj edhe Seff Krasniqin pse mban këto qëndrime. Meqenëse ai kërkon nga unë “sinqeritet” rreth kuptimit të këtyre nocioneve ku dalin në shesh divergjencat thelbësore në mes meje dhe Dick Martyt, atëherë i mbetet Seff Krasniqit që të bëhet i sinqertë dhe të tregojë haptas pse pozicionohet në terminologjinë politologjike që shkon në favor të atyre forcave që kontestojnë pavarësinë e Kosovës.
6. Seff Krasniqi vë theksin në shprehjen e njohur popullore “se gjuha është prej tulit” dhe mund të thuhet shumë çka. Prandaj dëshiron të dijë nëse ka pasur shqiptarë të tjerë në këtë promovim libri.
Sa për të kënaqur kureshtjen e Seff Krasniqit po përmend se në këtë promovim libri i takova edhe Alban Ismailajn (Psikoterapeut në Lozanë) dhe Menderes Zenelin. Shfrytëzoj rastin që t’i falënderoj për fotot që i kanë bërë dhe që m’i kanë dërguar pas takimit.
Seff Krasniqi e di fare mirë se “gjuha është prej tulit”, por në politikë, dhe sidomos në rastin e Kosovës, ajo kullon gjak sa herë përdoren terme që fshehin tendencën për t’i mohuar shqiptarëve të drejtën për të qenë shtet i pavarur.
7. Në prezencë të shumë personaliteteve politike dhe intelektuale që ishin të pranishëm në këtë promovim libri u bë publike se Dick Marty pranoi që të ballafaqohemi pasi të ketë lexuar librin tim. Është mirë të shmangen prognozimet nëse do të ndodh ky ballafaqim. Unë pres kohën e nevojshme që i duhet për ta lexuar librin tim para se ta kontaktoj. Nëse ndodh ky ballafaqim në ndonjërin nga universitetet e Zvicrës, njoftimi do të jetë publik. Në atë rast Seff Krasniqi mund të jetë i pranishëm. Madje, nëse Dick Marty ka nevojë për ndihmën e tij, ai mund të ulet përkrah tij. Unë jam i gatshëm të ballafaqoj argumentet shkencore me cilindo qoftë!