Çka i detyrohemi njëri-tjetrit?!
Altin N. Ademi
Njeriu është qenie (lat: entitas; gr: ousia), por njëkohësisht është edhe botëkuptim. Si qenie, ai është pjesë e fizikës, ndërsa si botëkuptim është shprehje e ekzistencës së tij. Si fizikë, ai është trup, ndërsa si botëkuptim ai është esencë. Në dualizmin e tij si trup dhe si esencë, njeriu është pjesë e botës, e cila si e tillë, është shprehje e një organizimi krejt të veçantë, për dallim nga qeniet e tjera të gjalla.
Kur mendojmë për “njeriun”, zakonisht nuk mendojmë për qenien fizike. Mendojmë për botëkuptimin që i mveshet asaj qenie. Njeriu rrjedhimisht, nuk është trupi, por vetëdija që banon në atë trup.
Njeriu jeton në tri gjendje: Si konstrukt i vetvetes; Si strukturë e vetvetes; Si koncept i vetvetes. Të gjitha këto janë të veçanta për secilin njeri, duke e shndërruar atë esencialisht në “diçka” private.
Njeriu pra, jeton privatisht. Por ai ekziston privatisht përbrenda një bashkësie. Të tilla janë familja, shkolla, lagjja, puna e shoqëria. Në mes të njeriut si “privat” dhe njeriut si “bashkësi”, ekziston një marrëdhënie dinamike. Në fakt, njeriu “privat” definohet si i tillë, pikërisht përderisa dallohet nga bashkësia, e përmes marrëdhënies me të. Pra, herë duke u thelluar në të, e herë duke u tërhequr nga ajo. Sa më i thelluar në të, ai është pjesë e bashkësisë, e sa më larg saj, ai është pjesë e vetvetes. Por, njeriu është “njeri” për shkak të kësaj marrëdhënie, e kurrsesi se nuk do të ishte i tillë pa të, e jashtë saj.
Gjithsesi, kjo marrëdhënie në mes të “njeriut privat” dhe “njeriut si bashkësi” nuk është marrëdhënie që përcaktohet nga ligjet e fizikes. Përcaktohet nga vetëdija e tij. Vetëdija e tij në formën më të thjeshtë, manifestohet si përgjegjësi morale. Dhe morali në këtë rast, nuk ka të bëjë me moralin si “vetëpërmbajtje” siç e përcakton religjioni. Ka të bëjë me moralin si “ndërgjegjësim”, siç e përcakton vetëdija.
Gjithsesi, përsiatje të kësaj natyre sot janë pothuajse të parëndësishme dhe të nën vendosura nga moda e konsumit. Por, të njëjtat vijnë në shprehje kur shoqëria përballet me një dekadencë të gjithanshme e të pathemeltë, nga e cila, jeta e njeriut si qenie bashkë me botëkuptimin që i mvishet asaj, është e barabartë me koston e një plumbi arme.
Rrjedhimisht, vrasjet, dhuna, dekadenca, trazimi, cytja dhe abuzimi me qenien, manifestohen si arratisje në tentative nga rehabilitimi i natyrës njerëzore. Prandaj, është e udhës që “njeriu si privat” t’i shtrojë pyetje vetvetes, se çka i detyrohet “njeriut si bashkësi”?.
Njeriu, njeriut i detyrohet fare pak gjëra. Në mes tjerash, i detyrohet që ta kuptojë ekzistencën e tjetrit, jo thjeshtë si një objekt që pengon rrugë, por si një botëkuptim me të cilin duhet komunikuar për të gjetur një rrugë. I detyrohet ta kuptojë tjetrin si konstrukt i vetvetes së tij, strukturë e vetvetes së tij dhe koncept i vetvetes së tij, pikërisht i ndryshëm nga ky i fundit. Qasja ndaj një të “ndryshmi” është njohja, jo paragjykimi. I detyrohet në mes tjerash, ta kuptojë traumën me të cilën njeriu përballet, pa qenë i detyruar t’i kontribuojë asaj traume. Mbi të gjitha, i detyrohet që ta trajtojë atë, ashtu siç pret që të trajtohet.
Të gjitha këto detyrime ndaj njëri-tjetrit përbëjnë “qytetarinë” apo marrëdhënien në mes njeriut privat dhe njeriut si bashkësi. Dhe këto detyrime, janë produkt i angazhimit e jo abstenimit përballë dekadencës.
Shkolla nuk është thjesht një “objekt fizik laboratori” për të injektuar inteligjencë, por gjithashtu një “objekt botëkuptimor” për të ndërtuar qytetari. Mësuesit nuk janë çipa projektori që deshifrojnë të dhëna shkencore, por edhe autorë të një ndërgjegjësimi kolektiv. Institucionet nuk janë mur që ndanë ata që veprojnë në emër të “ndërgjegjësimit”, kundër atyre që nuk kanë ndërgjegje.
Të gjitha së bashku, janë akter të përgjegjësisë kolektive dhe shtylla mbi të cilat qëndron e farkëtohet marrëdhënia në mes njerëzve. Dekadenca që po shohim për çdo ditë, në radhë të parë është e lidhur me erozionin enorm që ka përfshirë këta agjens, të cilët janë dhënë pas konsumit duke harruar detyrën, si dhe duke i lënë hapësirë “shpërbërjes së qytetarisë”, marrëdhënies më fisnike që ka prodhuar njerëzimi, e cila ekziston si e tillë, pikërisht për të ndërtuar mundësi për njeriun privat që të materializohet në kuadër të saj, e jo kundër saj e në kundërshtim me njëri-tjetrin.