Çka mund të mësojë Kosova nga ngërçi bullgaro-maqedonas?
Hijet e së kaluarës ende po i errësojnë udhët e së ardhmes, dhe për pasojë sovranitetet e disa vendeve të rajonit ende konsiderohen si procese të pambyllura dhe janë pjesë e neogociatave me shtetet fqinje. Pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm, kurse shtetësia e Kosovës mund të mbijetojë edhe pa njohjen nga Serbia. A thua diplomacia amerikane do të imponojë zgjidhjen e duhur, duke e movuar edhe më tepër Brukselin që të jetë më aktiv në tejkalimin e këtyre absurdeve fqinjësore-ballkanike?
Shkruan: Mehmet PRISHTINA
Mosmarrëveshjet identitare në mes të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, që po zgjasin tash disa dekada, u shkaktuan nga pasioni për ta shikuar të ardhmën me syzet e së kaluarës. Bullgaria vazhdimisht ka insistuar në qëndrimin mbi rrënjët bullgare të Maqedonisë së sotme, ndërkohë që kjo e fundit ka pretenduar se historia e saj është krejt e ndryshme nga ajo bullgare.
Në kushtet të tilla kur pozicionet e të dyja vendeve kaluan nëpër ekstreme të papajtueshme, ka qenë e vështirë të gjendet një kompromis që do të përafronte qëndrimet e Sofjes dhe Shkupit.
Por më në fund si duket u gjend kompromisi, përmes një dokumenti që erdhi nga presidenca e franceze, që kryesoi BE-në në gjashtë muajt e kaluar.
Kuvendi i RMV-së nëpërmjet një kumtese ka bërë të ditur se ka pranuar nga ana e Qeverisë informacionin për përmbajtjen e propozim kornizës së negocimit për negociatat e aderimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, e propozuar nga ana e Kryesisë së Francës me Këshillin Evropian më 30 qershor të vitit 2022.
Ndërkohë, në Kuvend nesër (e hënë)do të zhvillohet një takim bashkërendues mes shefave të grupeve parlamentare dhe kryeparlamentarit Talat Xhaferi, ku në rend dite pritet të diskutohet edhe informata për propozimin francez, që tashmë ka hyrë në procedurë parlamentare.
Opozita maqedonase dhe shoqata të ndryshme qytetare janë kundër këtij propozimi andaj tanimë për një javë po protestojnë duke theksuar se ky propozim ka si synim bullgarizimin dhe asimilimin e maqedonasve. Edhe sot thirrja për protesta është me moton dhe porosinë e ngjajshme: “Vazhdojmë më masivisht dhe më në numër kundër bullgarizimit dhe asimilimit të hapur. Të bashkohemi nën gjuhën maqedonase që dimë. I bëjmë thirrje çdo familjeje që të shpalosë flamurin maqedonas në ballkonin apo dritaren e tyre, thotë “Ulitmatum, JO faleminderit”.
Pjesa që ka nxitur më së shumti debat është çështja e gjuhës dhe e kaluara historike, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe si e tillë, kjo marrëveshje është e përfshirë edhe në propozimin francez.
Këto janë 7 pikat e propozimit francez:
1. Duke përsëritur konkluzionet e tij të datës 14 dhjetor 2021, Këshilli mirëpret vendosmërinë e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për të vazhduar agjendën e reformave të Bashkimit Evropian dhe për të ofruar rezultate të dukshme dhe të qëndrueshme.
2. Në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të dukshme dhe zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe në mirëbesim, duke përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë.
3. Në këtë drejtim, Këshilli mirëpret marrëveshjen për protokollin e takimit të dytë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar të formuar sipas nenit 12 të kësaj Marrëveshjeje. Ky hap i rëndësishëm do të kontribuojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit rajonal, të cilat mbeten elemente thelbësore në procesin e zgjerimit, si dhe procesin e stabilizimit dhe asociimit.
4. Gjithashtu, do të mundësojë forcimin e të drejtave të barabarta të pjesëtarëve të pakicave dhe komuniteteve në Maqedoninë e Veriut dhe si të tilla do të kontribuojnë në pajtueshmëri me kriteret politike të Kopenhagës. Në këtë drejtim, Këshilli mirëpret synimin e Maqedonisë së Veriut për t’i filluar me prioritet ndryshimeve në amendamentet përkatëse kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e kombeve të tjera, si p.sh bullgarët.
5. Marrë parasysh progresin dhe harmonizimin e papenguar në të gjitha zonat e identifikuara nga Këshilli në qershor 2018, Këshilli vendosi të miratojë Kornizën e Negocimit dhe, në përputhje me Metodologjinë e Përmirësuar dhe vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit të marrë më 25 mars 2020, për të mbajtur konferencën politike ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut për të paraqitur hapat e ardhshëm të procesit të zgjerimit, pas miratimit të Kornizës së Negocimit, siç përshkruhet në “Deklaratën hyrëse të BE-së”.
6. Për të përfunduar këtë fazë të hapjes së negociatave të anëtarësimit, Këshilli gjithashtu vendos të thërrasë një tjetër konferencë ndërqeveritare me qëllim që të prezantoj Kornizën Negociuese dhe gjendjen aktuale të punëve përgatitore të kryera nga Komisioni dhe është gati ta mbajë pa vonesa të mëtejshme ose vendime të mëtejshme politike, sapo Maqedonia e Veriut të zbatojë angazhimin e saj për amendamentet kushtetuese të sipërpërmendura, në përputhje me procedurat e brendshme të saj.
7. Në këtë drejtim, Këshilli vëren se Komisioni ka bërë përparim në të punën e tij për zbatimin dhe përfundimin e procesit të shqyrtimit analitik të ligjit të BE-së (acquis) dhe është i gatshëm të prezantojë menjëherë rezultatet e Maqedonisë së Veriut. Bazuar në këtë, Këshilli fton Komisionin që të vazhdojë të vlerësojë shkallën e gatishmërisë së Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave në fusha të caktuara dhe për të identifikuar çështjet që ka të ngjarë të shfaqen në negociata, duke filluar nga grupi themelor, vlera, të cilat, në përputhje me Kornizën Negociuese, do të hapen pasi Maqedonia e Veriut do të përmbushë kriteret përkatëse të dakorduara nga Këshilli.
Nëse bëjmë një analogji me Bullgarinë dhe Maqedoninë, dhe shohim se si janë zhvilluar negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë këtë dekadën e fundit, do të vërejmë se të dy vendet ende janë larg zgjidhjes evropiane të problemit që kanë në mes veti. Më saktësisht, është Serbia ajo që insiston në formula të njëanshme dhe përjashtuese, duke mos pranuar në asnjë mënyrë që kompromisi në me të dy vendeve të arrihet me njohje reciproke. Kundërshtimet kanë ardhur edhe tash së fundmi kur Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohje të ndërsjellë”.
“Raportet me Serbinë duhet të normalizohen përmes marrëveshjes e cila duhet të bazohet në njohjen e ndërsjellë”, tha deputetja gjermane në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, pas miratimit të rezolutës. Kjo është hera e parë që Parlamenti Evropian përmend me një rezolutë njohjen reciproke në kuadër të një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi.
Nëse në rastin e Bullgarisë dhe Maqedonisë kontesti kishte për bazë çështje identitare, në kontestin në mes të Kosovës dhe Serbisë qëndron një kurth tjetër që po mundohet Beogradi ta imponojë. Bëhet fjalë për të ashquajturin “proces i parrumbullaksuar i shtetësisë së Kosovës”, të cilin Serbia po e përdor për të justifikuar pretendimet ndaj Kosovës. Pra, Serbia përpos që nuk e njeh Kosovën si shtet, ajo po bën çmos që të defaktorizojë shtetësinë e saj përmes disa fazave. Fillimisht, duke mos e hequr Kosovën nga Kushtetuta serbe dhe pastaj duke e enkalvizuar atë në vija etnike, ku prezenca serbe do të kishte karakter të shtetësisë së dyfisht brenda territorit të Kosovës. Ky projekt do të arrihej përmes Bashkësisë së komunave me shumicë serbe dhe përmes zonave ekstraterritoriale të kishave e manastireve ortodokse serbe.
Prandaj BE dhe SHBA duhet sa më parë ta kuptojnë prapavinë e këtij kurthi që po mundohet ta imponoj Serbia në negociatat me Kosovën, duke e kushtëzuar atë, madje edhe me sanksione, që procesin euro-integrues ta ketë ngusht të lidhur me qëndrimin ndaj Kosovës.
Kosova nga ana e vet duhet të jetë më aktive në imponimin e së vërtetës karshi opinionit ndërkombëtar, duke e zhveshur Serbinë nga të gjitha argumentet se gjoja shtetësia e Kosovës është e plotë vetëm kur atë ta njeh Beogradi.
Diplomacia e Kosovës duhet të vazhdojë bashkëpunimin me qendrat ndërkombëtare të vendosjes dhe të instistoj në dialog me Serbinë, por njëkohësisht duhet të jetë edhe më e qartë në dikursin e saj publik se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm, kurse shtetësia e Kosovës mund të mbijetojë edhe pa njohjen nga Serbia.
Nëse kompromisi në mes të Serbisë dhe Kosovës nuk qenka njohja reciproke, atëherë politika vendimarrëse në Bruksel duhet të gjejë një formulë tjetër që do të ofronte një zgjidhje përfundimtare të këtij problemi.
Pas refuzimeve të njëpasnjëshme të krerëve serbë se nuk do të njohin asnjëherë pavarësinë eKosovës, do të ishte diplomatikisht pa sens insistimi që Kosova të heqë dorë nga një pjesë e sovraniteti të saj në favor të drejtave kolektive të serbëve, duke aluduar në Bashkësinë e komunave me shumicë serbe.
Aktualisht në Shkup maqedonasit nuk po e pranojnë dokumentin francez, me arsyetimin se Maqedonia e Veriut në të ardhmen do të hyjë në një proces të bullgarizimit.
Edhe në Beograd krerët serbë po kundërshtojnë thirrjet për njohje reciproke, sepse në këtë mënyrë po mendojnë se do të heqin përgjithmonë dorë nga Kosova.
Fatkeqësisht hijet e së kaluarës ende po i errësojnë udhët e së ardhmes, dhe për pasojë sovranitetet e disa vendeve të rajonit ende konsiderohen si procese të pambyllura dhe janë pjesë e neogociatave me shtetet fqinje.
A thua diplomacia amerikane do të imponojë zgjidhjen e duhur, duke e movuar edhe më tepër Brukselin që të jetë më aktiv në tejkalimin e këtyre absurdeve fqinjësore-ballkanike?
Prishtinë, 10 korrik 2022