“Çka nëse ministrja Haxhiu i ka zhdukur vetë provat?”
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën e jashtëzakonshme të thirrur për media dje, tha se mostrat e ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari janë zhdukur nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Ky zhvillim ka ngjallur reagime të shumta madje edhe në akuza ndaj Haxhiut. Anëtari i PDK-së Përparim Gruda ka thënë se nuk beson në hetime të mirëfillta të këtij rasti përderisa ministre është Albulena Haxhiu.
“Duhet të jap dorëheqje sepse ky rast i zhdukjes së provova duhet të hetohet deri në fund. Nuk mundet të hetohet përderisa ajo është në detyrë, ndërkohë që ngjarja ka ndodhur në kohën e saj sepse nuk ka pavarësi në hetim. Asnjë rezultat i këtij hetimi nuk e bind askënd. Unë nuk i besoj asnjë rezultati të këtij hetimi përderisa ajo është ministre, nuk e kam asgjë personale“, tha ai.
Ai madje ka pyetur se çfarë nëse ministrja i ka zhdukur vetë provat.
“Kjo ministre e drejtësisë sa është aty nuk ka hetime të pavarura. Sepse në opinion ngrihen edhe hipoteza të tjera. Çfarë thoni ju për hipotezën që e dëgjova që e tha dikush se mund t’i ketë zhdukur vet më qëllim ministrja. Por çfarë nëse ministrja i ka zhdukur vet provat? Njerëzit kanë të drejtë të ngrehin këto pyetje. Për sa kohë është ajo ministre është pengim në hetime”, ka deklaruar Gruda në Politiko.