Çka nuk harrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe çka nuk falin kurrë?!
Shkruan: Bajram Mjeku
Jetëshkrimi “Intervistë me vetveten” i shkrimtarit Petro Marko, është ndër autobiografitë më të trishta, që mund të ketë shkruar ndonjë shqiptar deri në ditët e sotme.
Në këtë libër, i cili të bën për vete edhe po ta rilexosh kushedisa herë, vendosa t’i publikoj tre paragrafë, për të rikujtuar se çka në fakt nuk falin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht kur të trajtojnë partner strategjik!
Shkrimtari Petro Marko, luftëtari i Spanjës, i cili pësoi tragjedi të pafundme familjare nga regjimi stalinist në Shqipëri, pak ditë para se të arrestohej në vitin 1947, shkruan për çastet kur ai dhe kolegët e tij gazetarë u përshëndetën për të fundmen herë në Aeroportin e Tiranës me shefin e UNRRA në Shqipëri dhe kështu kujton takimin lamtumirës me të: “Shumë nga ata që kishin qenë në Shkollën Teknike të Fulcit, ishin arrestuar si spiunë amerikanë. Shumë nga ata që mund te takoheshin rastësisht, ose në tavernën e hotel “Dajti” me ndonjë nëpunës të UNRRA-s, arrestoheshin si agjentë anglo-amerikanë. Situata politike kishte ndryshuar. Erdhi koha që misionet anglo-amerikane s’mund të qëndronin më në Shqipëri dhe vendosën të largoheshin…
Unë dhe gazetarë tjerë si Shefqet Musaraj, Javer Majo etj., përcollëm në aerodrom Misionin amerikan. Zoti Jakobs, shef i Misionit, një burrë i mençur dhe me autoritet, më hodhi krahun dhe më tha:
– Zoti Marko! Ne po largohemi, sepse po marrim në qafë shumë shqiptarë. E shohim se këtu shihemi si armiq, por mund t’ua them vetëm këtë: Ju mund të shani Ruzveltin, Ajzenhauerin e të tjerë, pastaj mua dhe gjithë autoritetet amerikane, por jo kurrë flamurin e lavdishëm të Amerikës. Ju atë e keni poshtëruar. Amerika këtë s’ka për ta harruar kurrë, kurrë!, – më tha me zemërim”.
Pikërisht për këtë dhe gjatë gjysmë shekulli të regjimit stalinist, Shtetet e Bashkuara hoqën dorë nga Shqipëria dhe shqiptarët, të cilët dolën kombi më i katandisur nga kampi komunist, përfshirë këtu edhe shqiptarët në ish-Jugosllavi.
Nuk thuhet kot “historia është mësuesja e jetës”, por që edhe në ditët e sotme, duket që kemi mësuar shumë pak nga tragjeditë tona kolektive, të cilat krejt “aksidentalisht”, mund të përsëriten…
Për ata që nuk e dinë, dua të kujtoj se Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Rindërtim, e cila njihet me akronimin UNRRA, u themelua më 9 nëntor të vitit 1943 në Uashington nga përfaqësuesit e 44 shteteve që përbënin atëherë Kombet e Bashkuara. Kjo organizatë u vinte në ndihmë vendeve të çliruara nga pushtimi fashist me ushqime, veshmbathje, barna e gjësende tjera të nevojshme gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.