Çka nuk u konvenon mërgimtarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit
Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka shkruar në “Facebook” se mërgimtarët tanë e kanë ndihmuar shumë Kosovën në vitet e okupimit, ndërkaq në vitet e lirisë janë lidhur me Kosovën edhe më shumë.
“Mijëra prej tyre kanë blerë këtu banesa, kanë ndërtuar shtëpi, vijnë masivisht në pushime. Interesimi i tyre për zgjedhjet në Kosovë është i natyrshëm. Çka nuk u konvenon atyre në këto zgjedhje? Nuk u konvenon qeveri që është në konflikt me BE-në, sepse konflikti mund t’ua dëmtojë edhe pozitën atje. Nuk u konvenon qeveri që shkakton konflikte në shoqëri, me arsimtarët, me sindikatat, me opozitën, me komunitetet. Çka u konvenon atyre? Atyre u konvenon një Kosovë që zhvillohet, që afrohet më Bashkimin Evropian, sepse ashtu edhe pronave të tyre këtu u rritet vlera. U konvenon një Kosovë që zgjidhë problemet edhe me Serbinë, ashtu që ata të udhëtojnë pa frikë e pa rrezik. Pra edhe mërgimtarëve u konvenon një Kosovë që arrin standarde evropiane, e jo një Kosovë që prodhon konflikte, siç po prodhon qeveria e tashme e Kurtit. Por nuk e di a ua ka shpjeguar mirë ndokush këtë realitet, meqë ata duke qenë larg Kosovës, shumë gjera nuk arrijnë t’i kuptojnë drejt”, ka thënë Krasniqi.