Çka përfiton Istogu nëse Gani Dreshaj bëhet kryetar komune?
Përveç autostradës së Dukagjinit, Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren, të cilën e ka vendosur si prioritet kryeministri Ramush Haradinaj, kandidati i AAK-së për kryetar të Istogut, Gani Dreshaj, me profil biznesmeni mund ta nxjerrë nga rutina gati 20-vjeçare e LDK-së këtë komunë nëse mban premtimin për punësimin e 2000 grave dhe 1000 burrave.
Por, për ta bërë këtë, të dielën duhet t’ia ofrojnë shansin vetë istogasit. Në Istog për të tretën herë radhazi, që nga 22 tetori, do të hapen kutitë e votimit për ta zgjedhur të parin e kësaj komune në rajonin e Dukagjinit.
Në raundin e parë as Haki Rugova e as Gani Dreshaj nuk kishin marrë vota të mjaftueshme, ndërsa në rrethin e dytë ishin konstatuar shkelje të cilat i kanë bindur autoritetet që merren me zgjedhjet që të shpallin rivotim.
Deri më tani, në fakt që nga paslufta, Komuna e Istogut është udhëhequr nga LDK-ja, por që Gani Dreshaj i AAK-së një biznesmen i fuqishëm ia ka lëkundur këtë pozicion. Të mërkurën, duke folur për gazetën “Express”, Dreshaj është shprehur i bindur se do të jetë kryetar i ri i Istogut. Madje ai e ka akuzuar kundërshtarin e tij për keqpërdorime të mëdha.
“Pasha zotin atij marre s’pi vike, me rrejt në televizion burri plak e krejt dynjaja e din që s’ka lanë firmë pa kushtëzuar, tash hala është tu ju marr pare për fushatë me zor firmave të LDK-së, sa më thirri njani me tregoi se u lodh prej tina tu ja marr përqindjen” ka thënë Dreshaj
Sipas tij, që nga koha kur me këtë komunë ka udhëhequr Fadil Ferati, nuk ka pasur asnjë projekt të mirëfilltë. “Këtë LDK-ja po donë me rrëzuar. Edhe LDK-ja janë mërzit nga këto sene, që shtatë vjet që nga vdekja e Fadil Feratit, nuk e gjoj një projekt diku. I ka harxhit paret e tatimpaguesve vend e pa vend, ka ble shpija në Vjenë. Unë kam informata nga LDK-ja se ka qarkullime bankare që ka çu pare me gjysmë milioni, i ka bo katër a pesë firma”, ka shtuar Dreshaj.
Por, çfarë përfiton kjo komunë nëse në krye të saj do të jetë ky biznesmen? Gani Dreshaj, ka thënë se do t’i ndalë ndihmat sociale dhe se do të punësojë mijëra njerëz. Ai ka premtuar punësimin e 2000 grave dhe 1000 burrave.
“Ta jap besën se zoti kryeministër kam me mbajt këtë premtim. Kemi me u ba të gjithë të barabartë”, ishte zotuar Dreshaj para kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Njëri nga premtimet e tij është edhe lirimi i biletave për studentët e Istogut që udhëtojnë për në Prishtinë. Kandidati i AAK-së për kryetar të Istogut, Gani Dreshaj ka thënë se nuk duhet të jetë problem i madh që të qeveriset me Komunën e Istogut, por që asaj i duhet vetëm një menaxher i mirë.
Dreshaj ka punuar për 36 vjet në Gjermani. Ai thotë se nga atje do të sjell firma gjermane për të investuar në Istog në mënyrë që të hapen vende të reja të punës. Po ashtu, ky kandidat i AAK-së ka premtuar se tokën që e ka në Istog do t’ua falë investitorëve gjermanë në mënyrë që t’i sjell ata të investojnë aty. Ndërkohë që ka premtuar edhe zgjidhjen e çështjen e ujit të pijes.
Por përveç këtyre premtimeve, Istogu do të mund t’ia sheh hairin Dreshajt edhe për diçka tjetër. Qeveria e re në krye me Ramush Haradinajn, ka premtuar edhe autostradë për Dukagjinin. Madje Haradinaj ka thënë se kjo është edhe prioritet për të.
“Për autostradën e Dukagjinit sot kam kërkuar të ndahen 80 milionë euro. Pra që në autostradën Prishtinë -në Pejë, mos të shkohet me nga pesë km në vit, por të kryhet vitin që vjen. Sepse, me nga dhjetë milionë euro dhe 7-8 km ajo nuk kryhet deri më 2030-ën. Ka ndërruar koha tash, autostrada ka për të përfunduar në vitin që vjen, ashtu që kur të bjerë bora e vitit tjetër, ajo do të bjerë mbi asfalt, mbi auto rrugën e Dukagjinit. Dy ministrat e qeverisë së Kosovës e dinë këtë, Bedri Hamza e ka dëgjuar prej meje, e di Pal Lekaj, edhe unë e di”, kishte thënë Haradinaj disa javë pasi kishte marrë udhëheqjen e qeverisë.
Ai ka premtuar po ashtu se auto rruga Klinë -Gjakovë do të fillojë vitin që vjen. Kryeministri ka përmendur edhe një autostradë tjetër, fizibiliteti i të cilës po ashtu do të nisë vitin që vjen – projektin e autostradës e Dukagjinit, Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren.