Çka po synon Serbia me testimin e armëve në kufi me Kosovën, flasin ish-ushtarakët
Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi ka thënë se stërvitjet ushtarake të Serbisë, të quajtura “Vorbulla 2024”, paraqesin shqetësim për institucionet e Kosovës dhe për popullatën civile por jo edhe shqetësim për aspektin e përgjithshëm të sigurisë.
Në RTV Dukagjini Gashi ka thënë se mesazhi bazë i këtyre stërvitjeve është demonstrimi i forcës dhe shkathtësive operative që Serbia pretendon se ka.
Ai ka thënë se stërvitjet janë të paralajmëruar dhe të mbikëqyrura edhe nga NATO dhe si të tilla nuk paraqesin ndonjë rrezik për Kosovën.
“I vetmi problem është lokacioni ku zhvillohen këto stërvitje dhe afërsia me Kosovën. Pra mesazhi jo i mirë është afërsia fizike me Kosovën dhe Malin e Zi.
“Mesazhi bazë është demonstrimi i forcës, shkathtësive operative dhe reagimit në situata të nevojshme për operim. Ky demonstrim i forcës i referohet opinionit të brendshëm dhe ndërkombëtar për fuqinë që ka Serbia në veprimin operativ. Ky nuk duhet të jetë shqetësim vetëm për Kosovën, Serbia këtë strukturë i ashtuquajtur projekt i 5000-të, është projekt që shteti që ka investuar më shumë, janë duke u testuar sisteme dhe armatime që Serbia i ka në dispozicion të këtyre njësive”, ka deklaruar Gashi.
Edhe ish-ushtaraku, Ismet Ibishi ka thënë se këto stërvitje ushtarake të Serbisë kanë si mesazh në mënyrë indirekte demonstrimin e forcës.
“E shoh si shqetësim që Serbia të gjithë teknologjinë ushtarake e ka të koncentrume në këtë pjesë. Por kudo që është brenda Serbisë paraqet rrezik edhe po të mos jetë afër kufirit me Kosovën, por çdo herë NATO vëzhgon në mënyra të shumta çdo lëvizje që paraqet rrezik për vendin ku ata kanë përgjegjësi, ata marrin masat e duhura”, ka deklaruar Ibishi.
Më 19 prill, Forcat e Armatosura Serbe mbajnë stërvitjet vjetore në poligonin Peshter.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se shefi i këtij misioni, gjeneralmajori, Ozkan Ulutas, do të vëzhgojë stërvitjet në Serbi, për të cilat Beogradi ka njoftuar KFOR-in për përgatitjet për mbajtjen e tyre.
Kurti sot u pyet nga gazetarët lidhur me situatën në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Ai tha se në veri, organet kosovare të sigurisë janë “të pranishme dhe funksionale”, por shtoi se 30 kilometra larg kufirit me Kosovën, Serbia po kryen stërvitje ushtarake.
“Ata sot do të bëjnë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë dhe vendi ku do të bëhen këto ushtrime, përveç se është 30 kilometra larg kufirit të Kosovës, është vetëm 3 kilometra larg kufirit të Serbisë me Malin e Zi. Kjo është edhe një dëshmi që Serbia është autoriteti, instanca, faktori e aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim edhe për Republikën tonë, që ata nuk e njohin, por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve në rajonin tonë”, tha Kurti.
Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë tha se stërvitjet po mbahen me qëllim të përmirësimit të aftësive trajnuese të komandave dhe njësive të ushtrisë serbe për të zgjidhur sfidat taktike gjatë përgatitjeve dhe kryerjeve të operacioneve luftarake.