Çka u vendos në mbledhjen e datës 18 – 19 shtator 1987 të udhëheqjes së Serbisë? (9)
Anatomia e nazizmit serb: Sllobodan Millosheviqi – nga Fushë Kosova deri në Hagë (9)
Shkruan: Prof. dr. Agim ZOGAJ
Çfarë kërkonte Zoran Sokoloviqi në lidhje me Kosovën?
Vlen të theksohet se ndoshta sikur të kishin marrë pjesë në votim përfaqësuesit e Kosovës dhe të Vojvodinës, ndoshta rezultati i votimit do të ishte krejt tjetërfare, dhe se sigurisht që në Mbledhjen e Tetë të KQ të LKS-së do të kishin votuar kundër Milosheviqit për çka edhe sot post festum luftërave që i filloi dhe i humbi Serbia, ndoshta do të kishim një rrjedhë tjetër në historinë më të re të Europës Juglindore.
Pas kësaj mbledhje të Kryesisë së zgjeruar të KQ të LKS-së ishte mbajtur Mbledhja e Tetë e KQ të LK të Serbisë e cila punimet i zhvilloi mbi platformën politike të aprovuar dhe të dalë nga mbledhja e sipërpërmendur e Kryesisë së KQ të LKS-së. Në fakt Mbledhja e Tetë e KQ të LKS-së ishte thirrur para se të mbahej mbledhja e Kryesisë ku në rend dite ishte Dragisha Pavloviqi. Në rend dite ishin paraparë çështjet ekonomike. Por, secila palë ndërluftuese që doli nga mbledhja e Kryesisë tani për përgatitej për Mbledhjen e Tetë e cila kishte për qëllim fuqizimin, tani publik të qëndrimeve të marra politike për promovimin e vijës së re në politiken serbe, krejtësisht radikaliste dhe luftnxitëse.
Referatin hyrës në Mbledhjen e Tetë të KQ të LKS-së e kishte mbajtur Zoran Sokoloviqi sekretar i KQ të LKS. Në fjalën e tij ai e kishte orientuar diskutimin, jo sikur në mbledhjen e kryesisë lidhur me Dragosha Pavloviqin, por për zhvillimet aktuale politike në Kosovë. Aksenti ishte përgjegjësia e udhëheqjes për mosrealizimin e ndryshimeve pozitive në Kosovë, veçmas për realizimin e ngadalshëm të politikës së mbrojtjes së serbëve dhe të malazezëve nga “separatizmi” shqiptar. Shtrohej për diskutim çështja aq shumë e diskutuar, pra e tempos dhe e taktikës së realizmit të politikës së përcaktuar ndaj Kosovës, e me këtë edhe përgjegjësia e atyre të cilët i personifikonin metodat e deriatëherëshme të cilat nuk kishin dhënë kurrfarë rezultate. Milosheviqi dhe bashkëpunëtorët e tij, ndër të cilët duhet veçuar Borislav Joviqin, Petar Graqanin, Nikola Lubiqiqin e shumë të tjerë, qëllimisht e kishin eliminuar pozicionin startues politik të Stamboliqit i cili çështjen synonte ta vendoste në raportin e konfliktit të personaliteteve, pra të Millosheviqit me Dragisha Pavloviqin. Por, shumica e pjesëmarrësve në diskutime kishin shtruar çështjen që në mënyrë më energjike duhet të zgjidhet çështja e Kosovës. Ishte e qartë se Millosheviqi me mjaft sukses dhe njëherit dinakëri në të vepruarit politik kishte arritur që me definimin e tillë të rendit të ditës, si politikë ndaj Kosovës dhe jo si qerim hesapesh politike me jo bashkëmendimtarët, e kishte përcaktuar frymën e diskutimeve në Mbledhjen e tetë të KQ të LKS-së. Të pranishmit, pra anëtarët e KQ të LKS-së, nuk e shtronin më çështjen e ndërrimit të Dragisha Pavloviqit, çështje kjo e mbaruar në mbledhjen e kryesisë, por shtronin kërkesa për ndryshimin radikal të kursit politik serb ndaj çështjes së Kosovës.
Mbledhja e Tetë e KQ të LKS-së ka zgjatur dy ditë dhe dy netë, 18 – 19 shtator 1987, pikërisht sa edhe mbledhja e Kryesisë së sipërpërfolur. Diskutantët kanë pasur të drejtë të flasin pa kufizim kohe. Në këtë kuptim, ajo mbledhje ishte unikate në praktikën e tubimeve të komunistëve serbë. Disa dëshmitarë, nga ajo mbledhje maratone, siç është rasti me Borisalv Joviqin duke i mbrojtur pozicionet e vijës së “fort” politike serbe, me në krye Sllobodan Millosheviqin shkruajnë se në diskutime kishte frymë liberalizmi, se askush paraprakisht nuk ka mundur tu imponoj anëtarëve të KQ të LKS-së pikëpamjet dhe se edhe po të kishte synime të tilla koha ishte e pakët. Në të vërtet, këso vlerësime nuk qëndrojnë sepse pikërisht Millosheviqi me grupin e përkrahësve të tij, i kanë animuar në të gjitha format dhe me të gjitha metodat, shumicën e anëtarëve të pranishëm të KQ të LKS-së në mbledhje në fjalë që të përkrahin unanimisht kursin e ri të politikës serbe veçmas ndaj Kosovës.
Zoran Sokoloviqi, i cili në vitin 2000 kishte bërë vetëvrasje, dhe që ishte një nga bashkëpunëtorët me të afërt dhe më besnik të Millosheviqit, në referatin e tij hyrës i kishte dhënë përcaktimet e debatit, duke anatemuar pamëshirshëm udhëheqjen e deriatëhershme serbe për gjendjen jo të mirë në Kosovë. Sokoloviqi kishte kërkuar që KQ të përcaktohet nëse mendon se më në fund duhet ndërruar kursin politik ndaj Kosovës, si dhe nëse duhet larguar nga pozitat udhëheqëse ata të cilët e pengojnë politikën e tillë.
Ivan Stamboliqi ndërkaq i përkrahur edhe nga disa anëtar të KQ të LKS-së vlerësonte se konflikti është i inskenuar, pa kurrfarë nevoje dhe se në politikën rreth Kosovës, sipas tij nuk ka dallime. Ai i shihte dallimet vetëm në metodat e përdorura për zbatimin e politikës serbe për Kosovën, dhe se ishte krejt e kuptueshme se ka dallime të tilla për të cilat mund të diskutohet. Ai theksonte se qëllimi është përpjekja që të krijohen anatemime dhe konfrontime personale. Në të njëjtën mbledhje, sikur edhe në atë të Kryesisë, përkrahje absolute i kishin dhënë Millosheviqit veçmas Petar Graqanini, Nikopla Lubiqii, Dusha Shkrebiqi që ndryshe përfaqësonin brezin e vjetër të politikës serbe. Për shumë kohë ishte diskutuar deklarata me kuptim metafore e thënë në atë mbledhje nga Dushan Shkrebiqi, se “Serbia është e lodhur nga liderët dhe se kohë është që të shikohet, analizohet se cilat janë rezultatet e punës së tyre, e jo që pas tyre të shkohet në mënyrë të verbër”.
Përgatitja për eliminimin politik dhe më vonë fizik të Ivan Stamboliqit
Aludimet e akuzave ishin të qarta, sulmohej dhe krijohej atmosfera politike për eliminimin politik të Ivan Stamboloqit, atëkohë kryetar i Kryesisë së Serbisë.
Interesimi i opinionit serb për debatin në Mbledhjen e të të KQ të LKS-së ishte i jashtëzakonshëm. Gjatë kohës së punimeve, mjeshtërisht dhe nën dirigjimin e Millosheviqit lexoheshin telegrame përkrahje atij dhe vijës së re të politikës serbe, nga qytetarë, punonjës të kolektiveve etj, pra një shou tipik i parapërgatitur i kohërave të komunizmit. Politizimi, përmes propagandë speciale mediale kishte mbërri kulmin, kurse ylli i ri i politikës serbe ishte njeriu që quhej Sllobodan Millosheviqi. Me Mbledhjen e Tetë të KQ të LKS-së, atij iu hapen frontalisht dyert që të shndërrohet në “vozhdin” e ri serb! Pasi me çdo kusht, dhe me presing të jashtëzakonshëm politik e kishte siguruar përkrahjen absolute, me votim të hapur u aprovua politika e Millosheviqit. Dragisha Pavloviqi u përjashtua nga KQ i LKS-së me vetëm shtatë vota kundër.
Ishte ky edhe një fillim i ri, në radhë të parë për Millosheviqin. Mbledhja e Tetë e KQ të LKS-së, duke marrë parasysh se çfarë u tha në te dhe çka priste populli prej saj, ishte një obligim madh për Millosheviqin dhe politikën e tij. Ai ishte i vetëdijshëm se pas gjithë atyre ballafaqimeve të rënda politike për kursin politik ndaj Kosovës, nëse në atë drejtim diçka nuk do të ndërronte atëherë kursi i imponuar politik nga ai do të rrezikohej për dështim. Në fakt ai vet i kishte imponuar vetes një luftë të vështir politike, sepse gjithë platformën e tij agresive dhe më pas luftarake e kishte mbështetur mbi çështjen e zgjidhjes së problemit të Kosovës, dhe atë siç e proklamonte zgjidhjen e përhershme, afatgjate dhe të shpejt. Por, Mbledhja e Tetë e KQ të LKS-së do të mbetet në kujtesë edhe për të dhënën se Millosheviqi, i cili pamëshirshëm i eliminonte konkurrentët e vet politik, u nda përfundimisht edhe nga Ivan Stamboliqi, i cili dikur e kishte futur në botën, aq të pamëshirshme të politikës dhe i cili më së shumti kishte kontribuar që Millosheviqi të zgjidhej kryetar i KQ të LKS-së. Për të qenë ironia, në rastin e relacioneve Stamboliq – Millosheviq krejtësisht tragjike për atë të parin, me urdhrin e Millosheviqit, më 25 gusht 2000 në një park të Beogradit nga pjesëtarët e “Beretave të Kuqe”, të cilat e vranë edhe Zoran Gjingjiqin, ishte kapur dhe ishte likuiduar në Frushka Gorë të Vojvodinës duke e hedhur kufomën e tij në një gropë gëlqereje.
Mbledhja e Tetë e KQ të LK të Serbisë, e promovoi Sllobodan Millosheviqin në lider të pakontestueshëm. Populli serb ishte i përgatitur që të pranoj një autoritet të tillë të sunduesit, i cili që nga fillimi tregonte veti të diktatorit. Serbia dhe populli serb u entuziazmuan, u treten nga gëzimi që pas sa e sa decenieve sërish e gjetën liderin, prijësin. Nëpër Serbi flitej me mburrje se u lind prijësi i ri serb i quajtur Sllobodan Millosheviq! Atmosfera shpirtërore, psikologjike, politike etj në serb ishte shumë e favorshme për lindje e liderit të ri serb. Prandaj Millosheviqi, këtë shans e shfrytëzoi deri në maksimum, dhe për një kohë të shkurtër u bë politikani dhe burrështetasi numër një i popullit serb, iu kaloi me popullaritet jo vetëm sa e sa autoriteteve të deriatëhershme serbe, por madje edhe Titos. Fjalimet, diskutimet, paraqitjet e tij populliste aprovoheshin pa diskutim, duartrokiteshin dhe merreshin si e vërteta e fundit dhe absolute. Në një kuptim, ai merrej dhe ndjehej nga masat si shpëtimtari i kombit. Fotografitë e tij ishin të vendosura gjithkah dhe gjithkund, madje edhe nëpër shtëpitë private vendin kryesor e zinte fotografia e Millosheviqit. Kurse, në Kosovë, serbët dhe malazezët të rënë në deliriumin e nacionalizimit ekstrem, racist ndiznin qirinj dhe luteshin për shëndetin e vozhdit të tyre. (Vijon)