Clevelandi eliminon Indianan
Clevelandi ia del mbanë të eliminojë Indiana Pacers dhe të kualifikohet për në gjysmëfinale të Konferencës së Lindjes. Skuadra nga Ohio fitoi ndeshjen e 7 ndaj Indianës 105-101 për të mbyllur serinë e përballjeve me të 4-3.
LeBron James ishte i papërmbajtshëm në këtë përballje për Cavaliers duke e drejtuar atë drejt këtij suksesi me një bilanc personal me 45 pikë, 9 topa në tabelë e 7 asist. Pjesën tjetër të punës e bënë lojtarët e tjerë, Kevin Love me 14 pikë, Hill me 11 e Tristan Thompson me 15 pikë e 10 topa në tabelë.
Për Indianën mbetet vetëm keqardhja e shumë rasteve të humbura pavarësisht formës fantastike të shfaqur nga Oladipo, Collison, Young e Sabonis. Indiana ishte një skuadër e admirueshme gjatë gjithë serisë së ndeshjeve, por diferencën e bëri LeBron James që është pjesë e Cleveland që në gjysmëfinale e pret Toronto Raptors. Ashtu si Golden State, edhe Houstoni e nisi mbarë fazën gjysmëfinale të Konferencës së Perëndimit. Skuadra e Rockets fitoi sfidën e parë ndaj Utah Jazz me rezultatin 110-96 me skuadrën nga Salt Lake City që nuk kishte në parket Ricky Rubion të dëmtuar. James Harden ishte në një formë të jashtëzakonshme teksa e mbylli këtë ndeshje me 41 pikë, 8 topa në tabelë e 7 asist.
Punën e tij e vazhdoi pjesa tjetër e skuadrës të impenjuar në mbrojtje; duke bërë që Utah të shënojë më pak se 100 pikë, ndërkohë që diferenca ishte e vështirë për t’u përmbysur për jazz. Kontribut në fitoren e Houston dhanë edhe Chris Paul me 17 pikë, Capela me 16 pikë e Tucker me 15 pikë. Për Utah, Mitchell e Crowder shënuan 21 pikë e Ingles 15, por që nuk i mjaftuan kësaj skuadre që të thyejnë skuadrën e Rockets. (Top Channel)