Clevelandi, kampion në Konferencën e Lindjes
Cleveland Cavaliars ka fituar finalet e “play-off”-it kundër Boston Celtics, duke u shpallur kampion në Konferencën e Lindjes.
Një sfidë e çmendur, ashtu siç edhe pritej nga rivaliteti dhe emocionet që do të sillte. Nuk ka zhgënjyer i jashtëzakonshmi LeBron James, që ka udhëhequr skuadrën e tij drejt një fitoreje spektakolare në rezultatin 87-79, duke shkuar për të 9-n herë në karrierën e tij në finalet e “play-off”-it. Ai ka qenë i papërmbajtshëm në parket, duke realizuar në këtë ndeshje finale të shtatë në Lindje, 35 pikë, 15 rebounde dhe 9 asistime. Një ndeshje ku nuk ishte e lehtë të shënoje dhe ku mbrojtjet ishin të vështira për t’u çarë e depërtuar, por jo për LeBron, që realizoi i vetëm një të tretat e pikëve të skuadrës së tij. Mirë u paraqitën edhe Green (19 pikë), Smith (12 pikë) e Thompson (10), ndërsa për Boston nuk mjaftuan 24 pikët e Tatum për të evituar këtë humbje.
Skuadra e Celtics humbi një shans të artë për të shkuar në finalet e mëdha, por mungesa e Irving në fazën e “play-off”, i dëmtuar që në prill, u ndje shumë, pasi mungoi përvoja e tij në parket.