Clevelandi mposht Toronton
Toronto, 2 maj – Cleveland Cavaliersi, nën udhëheqjen e një prej basketbollistëve më të mirë të historisë së NBA-së, LeBron James, fitoi 112-113 pas kohës shtesë përballjen e parë të serisë së gjysmëfinaleve në Konferencën e Lindjes ndaj Toronto Raptorsit.
Ndoshta jo në versionin e tij më të mirë, por sërish vendimtar për suksesin e ekipit nga Ohio. “Mbreti” James e mbylli takimin me “triple double”: 26 pikë, 13 asistime dhe 11 rikuperime, në plot 46 minuta mbi parket. Një fitore e pabesueshme e Cavsit, që qëndroi gjatë gjithë kohës në disavantazh, madje periodën e parë e mbylli me 14 pikë më pak se vendësit, 33-19, diferenca më e thellë e regjistruar gjatë kësaj sfide. Gjithsesi, në sekondat e fundit të kohës së rregullt arriti të barazojë 105-105, duke e çuar ndeshjen ne shtesë. Pikërisht në momentin më vendimtar të takimit, LeBroni me shokë treguan maturi, edhe pse duhet pranuar 3.5 sekonda nga fundi ishin me fat kur tentativa për tri pikë e Fred VanVleet të Raptorsit nuk përfundoi në kosh, raporton “Supersport”.
Një sukses që mund të rezultojë vendimtar për Clevelandin në fund të serisë. Përveç Jamesit, në radhët e Cavsit spikatën Smithi e Korveri me 20 dhe 19 pikë, ndërsa lojtari më i mirë i skuadrës kanadeze, DeRozani, e mbylli përballjen me 22 pikë. Takimi i dytë i Serisë do të luhet sërish në “Air Canada Centre”.
Golden State Warriorsi është i pandalshëm në Konferencën e Perëndimit. Kampionët në fuqi mposhtën 121-116 New Orleans Pelicansin edhe në përballjen e dytë të serisë së gjysmëfinaleve, duke thelluar avantazhin në 2-0. Në “Oracle Arena” u zhvillua një ndeshje e ekuilibruar deri në përfundim të periodës së tretë, që u mbyll 88-86, por në fraksionin e katërt Warriorsi krijoi një distancë sigurie prej 12 pikësh, duke lëshuar disi në fund, por pa e rrezikuar suksesin.
Kevin Duranti dhe Stephen Curry, i rikthyer në formën e duhur pas dëmtimit në gju, spikatën mbi parket, respektivisht me 29 dhe 28 pikë, ndërsa për Pelicansi Anthony Davis nuk mund të bënte më shumë, duke u ndalur në 25 pikë, 5 asistime dhe plot 15 topa të kontrolluar poshtë koshit. Sfida e radhës zhvendoset në “Smoothie King Center” të New Orleansit.