Clevelandi mposhti Indianën
Cleveland Cavaliers ndëshkon Indianën në fazën e “play-off”-it të NBA dhe barazoi serinë e ndeshjeve me Pacers në 1-1. Në Quicken Loans Arena nënkampionët e NBA fitoi këtë përballje me rezultatin 100-97 ku njeriu i ndeshjes ishte LeBron James.
Ylli i skuadrës së Cavaliers ishte në një formë të jashtëzakonshme dhe e mbylli këtë takim me 46 pikë e 12 topa në tabelë duke u bërë ai lideri i Cleveland. Cleveland fitoi periodën e parë 33-18, por Indiana nuk e lëshoi veten dhe pak nga pak arriti të eliminojë këtë disavantazh, por pa e çuar punën deri në fund pasi fitorja i takoi skuadrës nga Ohio ku përveç James spikatën edhe Kevin Love me 15 pikë e Kyle Korver me 12 pikë.
Utah thyen faktorin fushë në përballjen me Oklahomën. Në Chesapeake Energy Arena, skuadra e Jazz fitoi ndaj Thunder me rezultatin 102-95 duke barazuar rezultatin e serisë së përballjeve mes tyre në 1-1. Utah e mbylli pjesën e parë me një avantazh prej 7 pikësh, por pas pushimit të sfidës, Oklahoma përmbysi situatën duke marrë kryesimin me 5 pikë diferencë. Në 12 minutat e fundit Utah shfaqi të gjithë grintën e tij dhe në fund doli nga parketi i fituar. Për Jazz spikatën donovan mitchell me 28 pikë, Ricky Rubio me 22, Favors me 20 pikë e 16 topa në tabelë e Gobert me 13 pikë e 15 topa në tabelë. Për Oklahomën Westbrook e mbylli ndeshjen me 19 pikë e 13 assist, Paul George me 18 pikë e 10 topa në tabelë dhe Carmelo Anthony me 17 pikë.
Houston shkëputet ndaj Minnesotës pasi fitoi edhe ndeshjen e dytë ndaj kësaj skuadre me rezultatin 102-82. Ndeshja pati rivalitet vetëm në periodën e parë e cila u fitua nga Minnesota me 5 pikë diferencë. Pas këtij 12 minutëshi u pa shpërthimi i basketbollistëve të Houstonit që vunë diktatin e tyre në parket për të mbyllur këtë ndeshje më një diferencë prej 20 pikësh kundrejt Timberwolves. James Harden shënoi vetëm 12 pikë, por për Rockets kjo nuk ishte aspak problem pasi skuadra teksane ka në radhët e saj të tjerë lojtarë që mund të bëjnë diferencën. Këtë e tregoi Chris Paul që e mbylli ndeshjen me 27 pikë, ndërkohë që spikati edhe Gerald Green me 21 pikë e 12 topa në tabelë. Për Minnesotën më të mirët ishin Nemanja Bjelica me 16 pikë, Wiggins me 13 pikë e Butler me 11. (Top Channel)