Clevelandi ngecën sërish, Golden State merr kreun
Humbja e dytë radhazi në NBA për skuadrën e Clevelandit, që u mund 109-95 nga Sacramento, në një ndeshje që u fitua me meritë nga ekipi vendës, që korri fitoren e 13 sezonale.
Një rezultat surprizë, me Vince Carter që bëri diferencën në fushë për Sacramenton, autor i 24 pikëve. Për Cavaliersin u dallua Jamesi me 16 pikë, 10 rebaunde e 14 asistime, mbështetur edhe nga Love me 23 pikë, por që s’mjaftuan për ta evituar humbjen.
Në Perëndim dominon skuadra e Golden States, që kryeson renditjen pas fitores 126-101 ndaj Utah Jazzit, suksesi i 29 sezonal për Warriorsin. Ndeshje e mirë e Durantit, që realizoi 21 pikë, duke i bërë të pavlefshme 26 pikët e Hoodit për Jazz. Fiton edhe Oklahoma, që mposhti 124-107 Toronton, fitorja e 21-të në kampionat për Thunderin që, gradualisht, po rikuperon në renditje në Perëndim.
George realizoi 36 pikë, Westbrooku 33 pikë e 13 rebaunde, një dyshe që bëri diferencën në parket. Humbet sërish skuadra e Lakersit, në një moment jo të mirë në kampionat, pasi dje kalifornianët u mundën 109-99 nga Memphisi, raporton “Telesport”. Ingram realizoi 23 pikë e Clarksoni 22 pikë për Lakersin, por që mbetën për statistikë, ndërsa për miqtë u dallua Evans me 32 pikë.
Fiton skuadra e Bostonit që mundi 102-91 Charlotten, duke ruajtur kreun e renditjes në Konferencën e Lindjes. Sfidë e mirë për Irvingun, me 21 pikë, mbështetur edhe nga Horfordi me 20 pikë e 11 rebaunde. Chicago, falë 17 pikëve të Dunnit, mundi 92-87 New Yorkun.
Rezultatet: Charlotte – Boston 91-102, Indiana – Dallas 94-98, Atlanta – Washington 113-99, Chicago – New York 92-87, Minnesota – Denver 128-125, New Orleans – Brooklyn 128-113, Oklahoma – Toronto 124-107, Sacramento – Cleveland 109-95, Golden State – Utah Jazz 126-101, Lakers – Memphis 99-109.