Clevelandit nuk i mjafton vetëm LeBroni
Clevelandi ka pësuar një tjetër humbje në kampionat, duke u mundur 133-99 në fushën e skuadrës kanadeze të Torontos. Një tjetër disfatë e rëndë e skuadrës së Cavaliersit, që shënoi humbjen e 16 sezonale.
Fitore e merituar e Torontos, me shtatë lojtarë që realizuan mbi 10 pikë (VanVleet 22 pikë), ndërkohë që shumica e pikëve, plot 76 të tilla, erdhën nga lojtarët e stolit. Për Clevelandin u dallua LeBron Jamesi me 26 pikë, por që mbetën për statistikë. Fitorja e tretë radhazi për Lakersin, që mundi 93-81 San Antonion, duke iu larguar fundit të renditjes në Perëndim. Ingram me 26 pikë ishte shënuesi më i mirë për kalifornianët, duke i bërë të pavlefshme 20 pikët e Aldrides për teksanët. Fiton edhe skuadra tjetër e Los Angelesit, ajo e Clippersit, që mundi 121-115 Sacramento jashtë fushës, sfidë emocionuese në minutat e fundit.
Një tjetër ndeshje e mirë e Lou Williamsit, që e mbylli me 30 pikë, mbështetur edhe nga Harrelli me 25. Në krye të renditjes në Konferencën e Lindjes qëndron ekipi i Bostonit, që mposhti 114-103 Philadelphian, duke u shkëputur ndjeshëm nga rivalët. Sfidë me dy pamje, më e mirë për vendësit në pjesën e parë (Redick 22 pikë), ndërsa në të dytën erdhi përmbysja e Celticst, me Irvingun që realizoi 20 pikë e Morrisi 19, një dyshe që bëri diferencën në parket.
Rezultatet
Philadelphia – Boston 103-114
Toronto – Cleveland 133-99
Sacramento – Clippers 115-121
Lakers – San Antonio 93-81