Clinton sërish kritikon Trumpin
“Një luftë e hapur po i bëhet të vërtetës, fakteve dhe të drejtës.” Ka qenë kjo deklarata e Hillary Clinton, ish-kandidates presidenciale në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë.
Clinton është shprehur se presidenti Donald Trump refuzon rolin e shtypit të lirë në demokracinë amerikane, ndërkohë që ka shtuar se fitorja e tij është mundësuar nga ndërhyrja e Rusisë në zgjedhje.
Ish-sekretarja e shtetit dhe kandidatja demokrate për presidencën e Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton, ka paralajmëruar për një mundësinë e një lufte të hapur ndaj së vërtetës, fakteve dhe së drejtës.
Në një deklaratë të dhënë gjatë festivalit ndërkombëtar të letërsisë, PEN Ëorld Voices Festival, Clinton theksoi se zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 duhet të merren si rast studimi më vete, për shkak të përdorimit të informacionit të rremë dhe gënjeshtrave për motive propagande, çka është në kundërshtim me lirinë e shprehjes dhe vetë demokracinë.
“Sot kemi një president i cili duket se e refuzon rolin e një shtypi të lirë në demokracinë tonë. Edhe pse është i fiksuar me mbulimin e tij në media, ai e nuk e vlerëson nëse siguron njohuri apo kuptim, por vetëm nëse mbulimi e ndihmon atë dhe dëmton kundërshtarët. Ai i është referuar medias si një armik të popullit,” u shpreh Clinton për audiencën e mbledhur në Nju Jork.
Deklarata e saj duket se vjen si rezultat i zbulimeve të fundit mbi keqpërdorimin e të dhënave personale në Facebook apo rrjete të tjera sociale për arsye politike.
Pas fitores së zgjedhjeve nga presidenti aktual, Donald Trump, zonja Clinton ka akuzuar këtë të fundit për bashkëpunim me Rusinë.
Akuzat janë mohuar si nga Trump, po ashtu edhe nga Moska.
Megjithatë, agjenci të ndryshme të inteligjencës amerikane kanë dalë në konluzionin se Rusia vërtet është përfshirë në fushatën zgjedhore të 2016, duke ndihmuar zgjedhjen e Donald Trump si president.