Clintoni kujton vizitën me Albright në Kosovë: Së bashku shënuam fitoren e Kosovës dhe ShBA-së
Gjatë ditës së mërkurë, në kryeqytetin amerikan – Uashington është duke u mbajtur ceremonia përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.
Në ceremoninë përkujtimore, ish-presidenti Bill Clinton, ka kujtuar një nga momentet më të mira me sekretaren Albright kur kanë vizituar Kosovën në vitin 2019 për të shënuar 20-vjetorin e çlirimit të cilin e ka përshkruar si festim të fitores së Kosovës dhe ShBA-së.
“Po e kujtoja kohën kur së bashku me sekretaren Albright udhëtuam në Kosovë para tre vjetëve kur po festohej 20-vjetori i fitores së tyre dhe tonës, në parandalimin e spastrimit etnik dhe vet ekzistencës së Kosovës”, ka thënë presidenti Clinton.
Presidenti Clinton ka treguar edhe për bustin që Kosova ia ka ngritur sekretares Albright në nderim të kontributit të saj për çlirimin e Kosovës.
“Ne ecëm rrugëve të Prishtinës, me zyrtarët kosovarë dhe ndaluam në një bulevard ku edhe e kishin ngritur një bust të bukur si dedikim për sekretaren Albright për punën që ka bërë atje. Jam shumë krenar për jetën që e ka jetuar dhe jam falënderues që unë dhe Hillary kemi qenë miq me të”, ka thënë Clinton.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ka vdekur më 23 mars të këtij viti, në moshën 84-vjeçare.
Ajo ka vdekur nga kanceri, u bë e ditur në një njoftim të publikuar nga familja Albright në rrjetin social “Twitter”.