Clintoni në vitin 1999 shprehu admirim për udhëheqjen e Thaçit dhe qasjen e tij ndaj komuniteteve pakicë
Muaji qershor i vitit 1999 ishte muaj i zhvillimeve dramatike dhe historike për rajonin dhe në veçanti për Kosovën. Epiqendra e zhvillimeve ishte Kosova dhe bota i kishte sytë në të. Telefoni i presidentit amerikan, Bill Clinton, ishte aktiv si asnjëherë më parë. Të paktën kështu tregojnë dokumentet e deklasifikuara e të publikuara në faqen zyrtare të familjes Clinton.
Presidenti Bill Clinton koordinohej me liderët e ndryshëm botërorë për bombardimet në ish-Jugosllavi, por edhe për rrugëtimin që do ta marrë Kosova pas bombardimeve.
Më 10 qershor 1999, kur marrëveshja e Kumanovës për kapitullimin e Serbisë tashmë qe finalizuar, presidenti Clinton kishte telefonuar kryeministrin britanik Tony Blair, ku ndër të tjera kishte folur edhe për fatin e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqin.
“Nuk ka shumë vende ku ai mund të shkojë dhe që mund t’i japin mbrojtje nga Gjykata e Krimeve të Luftës. Mbase Rusia apo Bjellorusia mund ta marrin ose mund të bëjë një “deal” si ai që bëri Pinoceti dhe ta lënë aty, në Serbi”, i kishte thënë Clinton – Blairit në telefon.
Pak ditë pas kësaj telefonate, më 25 qershor 1999, ish-presidenti Clinton kishte telefonuar Hashim Thaçin, të cilin e kishte falënderuar dhe kishte shprehur admirim për udhëheqjen e tij.
Biseda ishte fokusuar në transformimin e UÇK-së dhe zotimin e Thaçit për respektimin e të drejtave të pakicave.
Biseda e plotë:
6:30-6:40 pasdite. Hotel Hyatt, Këln, Gjermani.
Clinton: Urime për nënshkrimin e marrëveshjes për demilitarizimin dhe transformimin e UÇK-së. Jam shumë i kënaqur që ndodhi në të njëjtën ditë kur forcat serbe përfunduan tërheqjen e tyre nga Kosova.
Thaçi: Faleminderit. Është nder që po na përgëzoni për demilitarizimin dhe transformimin e UÇK-së. Ky është edhe suksesi juaj. Për ne ka qenë një kompromis për hir të punës drejt paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon.
Clinton: E di. Dhe unë jam mirënjohës për këtë. Mund t’ju siguroj se do të punojmë bashkarisht për të sjellë siguri, një forcë policore lokale dhe vetëqeverisje të vërtetë për popullin e Kosovës. Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për Kosovën. Unë jam shumë i kënaqur që ne kemi arritur të ndryshojmë rrjedhën e spastrimit etnik në Kosovë.
Thaçi: Ky proces është edhe falë përpjekjeve tuaja. Ne kemi qenë të përkushtuar në të kaluarën dhe do të vazhdojmë të jemi të përkushtuar ndaj procesit të paqes. Ne mund të garantojmë se do të respektojmë të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave në Kosovë. Ne jemi të përkushtuar për të sjellë liri, paqe dhe demokraci për të gjitha grupet etnike në Kosovë. Ne do gjithashtu punojmë për një ekonomi të lirë dhe të hapur. Biseda jonë sot do të jetë gjithashtu një nxitje drejt këtyre qëllimeve.
Clinton: Deklarata juaj për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave është shumë e rëndësishme. Pas vuajtjeve të popullit të Kosovës, që ju ta merrni drejtimin për këto çështje do të thotë t’i dëshmojmë të gjithëve se orientimi jonë është i drejtë. Millosheviqi nuk është si të tjerët. Do të kemi një të ardhme të mirë. Mezi pres të të takoj dhe të admiroj për udhëheqjen tuaj.
Thaçi: Faleminderit zoti President. Beteja e re që na pret tani është rikthimi i refugjatëve, rindërtimi, krijimi i një shoqërie civile dhe mbajtja e lirë dhe zgjedhjeve pluraliste. Dhe këtë do ta bëjmë përmes mekanizmave tanë por edhe me ndihmën dhe mbështetjen tuaj. Ju uroj shëndet të mirë dhe suksese në punën tuaj.
Clinton: Faleminderit. Mirupafshim.