Clintoni përfundon vizitën në Shqipëri, Rama e përcjell deri në aeroport
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Bill Clinton, ka përfunduar vizitën në Shqipëri.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka përcjell Clintonin deri në aeroportin e Rinasit, ku ai është nisur drejt ShBA-së.
“Ishte e gjitha e jashtëzakonshme! Nuk do doja të ikja sot dhe po iki duke menduar se emri tjetër i Nju Jorkut është West Albania – Bill Clinton”, ka cituar Rama, Clintonin, duke shpërndarë në “Facebook” edhe një foto me ish-presidentin amerikan.
Bil Clintoni ka vizituar për herë të parë Shqipërinë, ku është pritur në mënyrë madheshtore nga shteti shqiptar. Në Tiranë, Clintoni ka mbajtur një fjalim ku ka folur për Shqipërinë dhe Kosovën, ku falë tij kjo e fundit ka fituar lirinë dhe pavarësinë.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Clintoni është nderuar nga Rama me medaljen “Ylli i Mirënjohjes për Arritje Publike”.