Clippersat mposhtin edhe Miamin
Los Angeles Clippersi vijon momentin e mirë në kampionat, pasi ka marrë një tjetër fitore dhe tani është shumë pranë parakalimit të Lakersave në renditjen e Konferencës së Perëndimit. Skuadra e drejtuar nga Tyronn Lue ia doli të triumfojë me shifrat 125-118 ndaj Miami Heatit në “Staples Center” të Kalifornisë. Fraksioni i parë dhe i tretë shkuan në favor të Miamit, ndërsa vendësit fituan pjesën e dytë dhe të katërt, por me rezultat shumë më të thellë, duke ia dalë ta marrë suksesin e katërt radhazi dhe të 21-tin këtë sezon. Marcus Morris ishte protagonist i padiskutueshëm i Clippersave në suksesin e sotëm, pasi shënoi 32 pikë, rikuperoi tre topa dhe dha dy asistime, ndërsa për Miamin shkëlqeu Butler me 30 pikë, 10 asistime dhe 10 topa të rikuperuar.
Vijon të bëjë mirë ndërkohë Utah Jazzi, që mori një tjetër sukses këtë herë me shifrat 134-123 në ndeshjen ndaj Philadelphia 76ers. Këta të fundit e nisën mjaft mirë ndeshjen dhe fituan fraksionin e parë me shifrat 35-42, por më pas lëshuan terren dhe panë t’u përmbysej rezultati. Basketbollisti australian i 76ers, Ben Simmons, ishte më i miri i ndeshjes me 42 pikë të shënuara, 10 asistime dhe 10 topa të rikuperuar, ndërsa për vendësit e Jazzit spikati Clarkson me 40 pikë të shënuara dhe një asistim, raporton “Supersport”.
Një tjetër sfidë interesante ishte edhe ajo në mes të Washington Wizardsit e Houston Rocketsit, me vendësit që triumfuan me shifrat 131-119 dhe regjistruan suksesin e dytë radhazi. Kjo ishte humbja e 6 radhazi për Houstonin që është zhytur në krizë rezultatesh këtë sezon dhe në 27 ndeshje numëron 16 humbje e vetëm 11 fitore, ndërsa te Wizardsi është Beali që konfirmohet në formë mjaft të mirë dhe tërheq skuadrën me lojën e tij. Mori fitoren e tretë radhazi edhe Brooklyn Netsi, që ia doli të triumfojë me shifrat 125-136 në transfertën e “Golden 1 Arenës” ndaj Sacramento Kingsit. Irvingu ishte protagonist i Netsit me 40 pikë, 4 asistime e tri rikuperime, ndërsa një ndeshje mjaft të mirë bëri edhe James Hardeni me 29 pikë, 13 rikuperime e 14 asistime. Në sfidat e tjera, Chicago Bulls fitoi vetëm pas kohës shtesë ndaj Indiana Pacersit me shifrat 112-120, ndërsa New York Knicksi mposhti Atlanta Hawksin me shifrat 123-112.