Clippersat ‘turpërohen’ nga Dallasi, Lakersat pa problem mposhtin Minnesotan
Surprizën më të madhe në mbrëmjen e NBA-s e dhuroi Dallas Mavericks me skuadrën teksane që triumfoi brenda në Kaliforni përballë Los Angeles Clippers me rezultatin e thellë 124-73.
Mungesa e Kawhi Leonard u ndje shumë te Clippers të cilët pësuan humbjen më të thellë në historinë e NBA-s përsa i përket pjesëve të para, teksa vetëm pas 2 periodave Luka Donqiq me shokë kryesonin me 50 pikë epërsi, diçka e paimagjinueshme pas vetëm 24 minutash lojë.
Në fund falë edhe 24 pikëve të realizuara nga Donqiq Dallas mori fitoren e parë në këtë sezon të NBA-s, duke u shkaktuar Clippersave disfatën e parë që ishte vërtet e turpshme me 51 pikë diferencë, raporton “Supersport”. Fitorja e dytë rresht për Los Angeles Lakers dhe e dyta sezonale me kalifornianët që kaluan pa probleme Minnesota Timbewolves me rezultatin e thellë 127-91.
Në mungesë të Anthony Davis më i miri mbi parket për kampionët në fuqi të NBA ishte Kyle Kuzma me 20 pikë. Falë një super Stephen Curry autor i 36 pikëve, regjistroi suksesin e parë sezonal edhe Golden State Warriors që triumfoi në transfertën ndaj Chicago Bulls me rezultatin 129-128. Pësoi humbjen e parë ndërkohë Brooklyn Nets që u mposht në transfertë me rezultatin 106-104 nga Charlotte Hornets. 29 pikët e Durant ishin të pamjaftueshme për skuadrën nju-jorkeze.
Rezultat surprizues mund të konsiderohet edhe humbja e Milwaukee Bucks në Madison Square Garden ndaj New York Knicks me rezultatin 130-110.