Çlirim Lepaja, “Iniesta” i Kosovës

30 prill 2018 | 11:01

Futbolli i Kosovës të ardhmen e ka të ndritur, pasi në vazhdimësi shkollat e futbollit janë duke prodhuar talente. I tillë është edhe rasti i Çlirim Lepajës, që shumë shpejt pritet të bëhet pjesë e ekipit të parë në KF Trepça ’89 dhe e Përfaqësues së Kosovës U19. Futbollisti 17-vjeçar ka thënë për “Epokën e re” se të ardhmen e sheh vetëm në futbollin evropian.

Futbollisti Çlirim Lepaja me talentin që ka dhe me paraqitjet që po bën me skuadrën e Trepçës ’89 mund të vlerësohet si “Iniesta” i futbollit të Kosovës. Çlirimi nga lojtarët vendorë e pëlqen ish-lojtarin e Trepçës ’89, Florent Hasanin, kurse nga lojtarët ndërkombëtarë e pëlqen Andreas Iniesten. Djaloshi nga Prishtina i ka rënë në sy ekipit të gazetës “Epoka e re” në grumbullimin që kishte në Përfaqësuesen e Kosovës U19 gjatë javës së kaluar. Gazeta e ka kontaktuar të dielën futbollistin në fjalë, i cili ka treguar se si i lindi dashuria që të merret me futboll.

“Lojën e futbollit e kam adhuruar që nga fëmijëria. Çdo ditë luaja me fëmijët e lagjes, më pas u aktivizova në skuadrën e 2 Korrikut. Që nga atëherë për asnjë moment nuk iu kam ndarë kësaj loje. Angazhimin në 2 Korrik e kam bërë në moshën pesëvjeçare. Fillimisht trajner ka qenë Rufki Ballazhi, më pas kam punuar me trajnerët Mustaf Pronaj dhe Besim Ademi”, ka treguar Lepaja, i cili, pas e ka fituar një përvojë në këtë skuadër, ka rënë në sytë e trajnerëve të Trepçës ’89 të cilët ishin këmbëngulës që ai t’i bashkohet klubit nga Mitrovica. “Në skuadrën e 2 Korrikut kam qëndruar rreth gjatë vjet. Kam pasur kontakte me skuadrën e Trepçës ’89 dhe ka qenë këmbëngulëse për kalimin tim aty dhe më ofruan kushte më të mira”, ka shtuar ai. “2 Korriku është një klub shumë i mirë. Trajnerët bëjnë punë të mirë, çka e dëshmon fakti se shumë lojtarë kanë dalë nga kjo shkollë, por edhe do të dalin edhe në vitet e ardhshme”, ka thënë Lepaja.

Futbollisti 17-vjeçar është pjesë e juniorëve, por ka qenë i ftuar edhe në ekipin e parë të Trepçës ’89 gjatë fazës përgatitore. “Jam pjesë e ekipit të juniorëve, por klubi më ka grumbulluar në ekipin e parë ku mund të them lirisht se kam lënë përshtypje të mira. Në atë kohë ka qenë trajner Zekrija Ramadani, i cili, së bashku me trajnerët e tjerë, më kanë dhënë lëvdata dhe më kanë këshilluar ta vazhdoj punën për të dalë në ekipin e parë”, ka deklaruar ai.

Më pas Çlirim Lepaja ka treguar edhe për grumbullimin në përfaqësuesen që drejtohet nga Ramiz Krasniqi: “Jam shumë i kënaqur që kam qenë pjesë e selektimit dhe grumbullimit të kombëtares. Ishte një përvojë e mirë. Besoj se kam treguar se e meritoj të jam pjesë edhe në grumbullimet e tjera”.

Mesfushori Çlirim Lepaja synon që një ditë të bëhet pjesë e ndonjë klubi të madh evropian. “Në kampionatin e ardhshëm pres të kaloj në ekipin e parë. Mendoj se kam potencial dhe me punën që e kam bërë dhe po e bëj, nuk besoj se do ta kem problem kalimin në ekipin e parë. Ndërsa synimi im është të luajë sa më shumë në ekipin e seniorëve, më pas të kaloj te një klub i madh evropian”, ka përfunduar Lepaja.

(Veton ZYMBERI)  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina ka bërë thirrje për kursimin…