‘Çlirimi i Kosovës nuk do të ndodhte pa miqtë si Bill e Hillary Clinton dhe Madeleine Albright’
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se përpjekjet tona shekullore për liri e pavarësi, do të kurorëzoheshin në ditën e sotme para 20 vitesh, me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë, pas një lufte të drejtë çlirimtare që solli shumë sakrifica për qytetarët e Kosovës.
“Kjo festë jona, nuk do të ishte e plotë pa mikun tonë historik, Presidentin Klinton dhe Zonjën Hilary, Sekretaren Albright dhe miqtë tjerë që arritën në Prishtinë për këtë përvjetor solemn. Në këtë 20-vjetor të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, kujtojmë sakrificën e të gjithë qytetarëve tanë, në veçanti përkushtimin e miqve ndërkombëtarë të cilët u vunë në mbrojtje të lirisë dhe qenies tonë”, ka shkruar Hoxha në llogarinë e saj në “Facebook”.
Ajo ka shtuar: “Respekt i përjetshëm për kontribuuesit e kësaj dite madhështore! Respekt i përjetshëm për Presidentin Klinton, Sekretaren Albright dhe miqtë tanë nga bota demokratike!”.
/Epoka e re/