Çmenduria e tifozit mongolez… Përshkoi 7000 kilometra me biçikletë, udhëtoi 11 muaj për të parë ‘live’ Manchester United
Ochirvaani Batbold bëri udhëtimin e frikshëm gjatë gjithë rrugës nga Mongolia në “Wembley”, për të qenë i pranishëm në ndeshjen e djeshme emocionuese. 26-vjeçari mongol kaloi 11 muaj duke udhëtuar dhe mbërriti në Londër në kohë për të parë ndeshjen e tij të parë “live” të Manchester United.
Ochirvaani u fotografua jashtë stadiumit, përpara fillimit të ndeshjes së “Fa Cup”, me uniformë të “Djajve të Kuq” dhe mbajtur në dorë flamurin e klubit të zemrës. Udhëtimi i tij u bë “viral” në mediat sociale përpara ndeshjes, ndërsa tifozët përshëndetën përpjekjet e tij titanike dhe sfilitëse fizikisht.
Njëri postoi: “Çfarë arritjeje dhe frymëzim i jashtëzakonshëm”. Një i dytë shkroi: “Histori e pabesueshme!” Një i tretë komentoi: “Shpresoj të na keni sjellë pak fat”. Tifozi mongol i Manchester United e përjetoi plot emocione gjysmëfinalen dramatike të “FA Cup” të së dielës kundër Coventry City, në “Wembley”, ku skuadra e tij e zemrës u kualifikua përmes penalltive.
Sikurse thamë më lart, ai e përshkoi me biçikletë distancën nga Mongolia prej afro 7000 kilometrash. Mediat britanike e takuan atë para ndeshjes në “Wembley” dhe kishte vetëm një pyetje: Pse e ndërmore këtë rrugëtim shumë të lodhshëm?
“Unë e dua futbollin, – tha ai. – Kur isha adoleshent, fillova të luaj futboll. Gjithashtu, fillova të ëndërroja të luaja për Manchester United. Kam luajtur futboll për 10 vite. Dy vitet e para të karrierës sime filluan me shumë sukses dhe luajta në ligën më të mirë të Mongolisë, por në tri vitet e ardhshme pësova shumë dëmtime dhe kalova në depresion.
Thjesht u përpoqa të luaja futboll edhe për pesë vitet e ardhshme. Për mua, Manchester United ka të bëjë me përmbysjet (rikthimet) dramatike, ‘Teatri i Ëndrrave’, lojtarët e mëdhenj, Sir Alex Ferguson, një histori e mrekullueshme dhe mentalitet që nuk heq kurrë dorë.
Pra, fillova të kërkoj një mënyrë tjetër për të realizuar ëndrrën time, por nuk doja që të ishte e lehtë. Doja të bëja diçka që frymëzon shumë të tjerët. Kështu, për dy vite bëra një plan rrugor dhe përgatita trupin tim.
Vendimi për të udhëtuar me biçikletë u mor vetëm dy javë para udhëtimit. E dija që do të bëja një udhëtim dhe e kisha menduar prej kohësh sforcon fizike, por për ta bërë këtë më duhej një ekip, shumë para dhe një makinë. Kësisoji i ndryshova planet e mia dhe vendosa ta bëj me biçikletë.
Familja ime, miqtë dhe të tjerët mësuan për udhëtimin tim një javë para se të nisesha. Nuk doja të pranoja këshillat e të tjerëve, sepse mendoja se njerëzit nuk do ta kuptonin atë që po përpiqesha të bëja. Dhe ata do të flasin vetëm për gjëra të pamundura.
Mendova që nëse besoj në atë që bëj, mund t’ia arrij qëllimit tim. Mendova se udhëtimi me biçikletë më jepte mundësinë të shihja shumë vende dhe të takoj shumë njerëz. Gjithashtu, doja të krijoja kujtime që nuk do të harrohen kurrë në jetën time”.
Udhëtimi i Batbold filloi më 5 maj 2023. Ai zgjohej në orën 7 të mëngjesit dhe bënte me biçikletë rreth 100 kilometra çdo ditë. Destinacioni i tij përfundimtar do të ishte “Old Trafford”, Manchester:
“Kjo më merrte 8-10 orë çdo ditë. Zakonisht e haja drekën nëpër kafene, por mbaja edhe Borts, një lloj mishi të tharë në ajër dhe të prerë në shirita të gjatë, të varur në hije. Kur kam vetëm ujë dhe kripë, mund të gatuaj dhe të ha. U përpoqa të udhëtoja me biçikletë për tri ditë dhe më pas të bëja një ditë pushim, por ndonjëherë kam pedaluar pa pushim edhe shtatë ditë.
Kam kaluar shumë ditë të vështira, më janë shpuar rreth 40 herë gomat e biçikletës. Zakonisht isha shumë i lumtur në çdo moment të udhëtimit tim, sepse e dija se po i afrohesha qëllimit tim çdo ditë, hap pas hapi.
Kam udhëtuar nëpër Kinë, Kazakistan, Uzbekistan, Azerbajxhan, Iran, Turqi, Greqi, Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Mal të Zi, Kroaci, Hungari, Austri, Gjermani, Zvicër, Francë dhe më në fund Angli.
Azia Qendrore ishte pjesa më e bukur e udhëtimit. Takova shumë njerëz të mirë dhe pashë natyrë të bukur. Në qytetin Samarkand, Uzbekistan, pata ndjenjën se kalova nga koha moderne në atë historike. Gjithashtu takova shumë tifozë të mrekullueshëm të Manchester United. Të tillë ka në mbarë botën, i kam takuar kudo.
Irani ishte interesant. Jeta atje ishte shumë ndryshe nga ajo që imagjinoja, natyrë e mahnitshme, takova njerëz të sjellshëm. Kudo që shkova, jo vetëm në Iran, takova njerëz shumë të mrekullueshëm.
Pjesa më e mirë e udhëtimit tim ishte kur arrita në majën e një mali 1500 metra të lartë dhe ngjitja ishte rreth 45 km. Kjo ndihej si pjesa më e mirë dhe më e keqe e udhëtimit tim. Ishte një rrugë e gjatë dhe e vështirë, që dukej e pafund. Në Evropë, kur kalova nëpër Austri, ishte pejsazh mjaft i bukur.
Është e mrekullueshme, – tha ai teksa qëndronte në shkallët e “Wembley”, përpara se ta shihte Manchester United për herë të parë në stadium. – Ishte tepër stresuese për mua, sepse shpresoja ta shihja Manchester United të fitonte në ndeshjen time të parë.
Kur pësuam gol në minutën e fundit, mendova se kishte mbaruar, por fatmirësisht ishte jashtë loje. Më në fund fituam me penallti. Loja përmblidhte të gjitha emocionet e futbollit. Ishte një përvojë e mrekullueshme për mua”.
I’ve been following this lad’s journey for 11 months. He’s about to watch MUFC for the first time. He’s cycled here.
From Mongolia. pic.twitter.com/SkNk06q9dI— Andy Mitten (@AndyMitten) April 21, 2024